Komuna e Ulqinit ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen alarmante të plazheve në prag të fillimit të sezonit turistik.
Në një deklaratë për media të Komunës së Ulqinit thuhet se duke pasur parasysh faktin se plazhet janë një nga burimet më të rëndësishme turistike, është e papranueshme që ndaj tyre të sillet me një papërgjegjshmëri të tillë.
“Për këtë gjendje, përgjegjësinë nuk e mban vetëm Ndërmarrja Publike për të Mirat Detare, por edhe Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Pasurisë Shtetërore, si dhe Ministria e Turizmit, të cilat me mosveprimin e tyre vënë në pikëpyetje zhvillimin e turizmit në Mal të Zi dhe qëndrueshmërinë ekonomike të komunave bregdetare”, thekson deklarata.
Nga Komuna e Ulqinit kanë deklaruar se papërgatitja e plazheve, pasiguria e përgjithshme në lidhje me procedurat e dhënies me qira, si dhe përpjekjet për të fshehur mangësitë e tenderit, konfirmojnë qartë atë që përfaqësuesit e saj kishin paralajmëruar që para shpalljes së tij.
“Për fat të keq, edhe një herë vërtetohet se NP ‘Të Mirat Detare’ nuk është e aftë të zbatojë procedurën e tenderimit në mënyrë të ligjshme dhe transparente. Deri më sot, asnjë kontratë me shfrytëzuesit e pasurisë detare në territorin e Komunës së Ulqinit nuk është lidhur, ndërsa në të njëjtën kohë ka indikacione se ndërmarrja planifikon të shpallë një tender tjetër – gjë që do të ishte një goditje shtesë për komunitetet lokale dhe turizmin në tërësi”, thekson deklarata.
Komuna e Ulqinit vlerëson se për shkak të qasjes joprofesionale dhe të papërgjegjshme, qiramarrësit janë vendosur në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme.
“Si pasojë e kësaj, plazhet nuk ishin të gatshme për pritjen e turistëve më 1 Maj, që ka qenë praktikë e zakonshme vitet e kaluara. Në vend që të sigurohet stabilitet dhe siguri në përgatitjen e sezonit, po punohet në anulimin e tenderëve për disa lokacione”, thuhet më tej në deklaratë.
Komuna e Ulqinit ka shprehur pakënaqësi me këtë zhvillim të ngjarjeve.
“Mendojmë se tenderi është dashur të shtyhet dhe kontratat ekzistuese të zgjaten me një aneks për sezonin 2025. Kjo do të mundësonte që të gjitha procedurat e ardhshme të zbatohen në përputhje me ligjin, aktet nënligjore dhe me transparencë të plotë – ashtu siç ndodh në destinacionet e zhvilluara turistike”, thuhet në deklaratë.
Sipas Komunës së Ulqinit, gjendja aktuale e plazheve, stagnimi në përmirësimin e ofertës turistike dhe politikat publike të dështuara, për të cilat kjo komunë ka paralajmëruar disa herë, vërtetojnë se NP “Të Mirat Detare” prej kohësh ka pushuar së kryeri funksionin për të cilin është themeluar.
“Për këtë arsye, mendojmë se është koha e fundit që kjo ndërmarrje të transformohet në agjenci, që do të ishte një model i pranueshëm për të gjitha komunat bregdetare”, nënvizohet në deklaratën për media.
Nga Komuna e Ulqinit i kanë bërë thirrje Kuvendit të Malit të Zi që urgjentisht të shqyrtojë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Pasurinë Detare, si dhe të ligjeve të tjera përkatëse.
“Vetëm përmes decentralizimit të mirëfilltë mund t’u mundësojmë komunave të menaxhojnë në mënyrë të përshtatshme territorin e tyre dhe të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale”, përfundon deklarata.
(Kohapress)