Sanell Balliq rizgjidhet kryetar i Komunës së Gucisë

Guci – Një javë pas mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Komunës së Gucisë, më 25 tetor 2024, në të cilën u verifikuan mandatet e 30 këshilltarëve të KK-së në mandatin e ri katërvjeçar dhe u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit, të premten e kaluar më 1 nëntor 2024, në ambientin e sallës së komunës për seanca, takime dhe tubime, u mbajt seanca e parë e rregullt e KK-së në të cilën ishin të pranishëm 29 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron edhe Kuvendi në përbërje të re, seancë kjo e cila në bazë të përmbajtjes së pikave të rendit të ditës (gjashtë sosh) të propozuara nga kryetari i ri i Kuvendit, kryesisht ishte e përqendruar në zgjedhje dhe emërime të personaliteteve udhëheqëse dhe të organeve punëdrejtuese të Komunës dhe Kuvendit të saj.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i ri i Kuvendit, Edvin Bektesheviq, këshilltarët e pranishëm njëzëri miratuan procesverbalet e punës së dy seancave paraprake të KK-së: të seancës së parë të jashtëzakonshme të mbajtur më 15 gusht 2024 dhe të seancës konstituive të KK-së, e mbajtur më 25 tetor 2024.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e pikës së parë të rendit të ditës për pozim vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit komunal për zgjedhje dhe emërime, me ç’rast për këtë organ të Kuvendit, këshilltarët zgjodhën Këshillin shtatë anëtarësh, kryetare e cilit u emërua Anisa Feratoviq.
Mirëpo pa dyshim, pika qendrore dhe kryesore e rendit të ditës të punës së seancës ishte propozim vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komunës së Gucisë në mandatin katërvjeçar.
Këshilltarja e koalicionit parazgjedhor “Me zemër për Gucinë” (PB-SD-PSD) Dr. Harisa Llalliçiq, për këtë post funksional propozoi kryetarin e Këshillit komunal të Partisë Boshnjake të Gucisë dhe njëherazi kryetarin e deritashëm të Kominës së Gucisë, zotërinë Sanell Balliq, i cili në aklamacionin e hapur të këshilltarëve të pranishëm, me 17 vota “për” të këshilltarëve të koalicionit të ri qeverisës dhe 12 vota “kundër” të subjekteve politike në opozitë (6 të koalicionit “Bashkë për Gucinë” – Forum shqiptar-UDSH) dhe 6 të PDS-së, u zgjodh sërish kryetar i Komunës së Gucisë në mandatin katërvjeçar.
Në vazhdimin e punës së seancës, në propozim të Kryetarit të Kuvendit Edvin Bektesheviq, këshilltarët e pranishëm me 17 vota “për” dhe 12 “kundër” të subjekteve politike në opozitë, për nënkryetar të Kuvendit të Komunës zgjodhën këshilltarin Fadil Ulaj nga radhët e Grupit të zgjedhësve “Lëvizja për Gucinë”, ndërsa ushtruese e detyrës së sekretarit të KK të Gucisë, në propozim të kryetarit Bektesheviq, u emërua juristja e diplomuar Anella Nikoçeviq.
Në fund të punës së seancës këshilltarët miratuan propozim vendimin e emërimit të Bordit të drejtorëve të SHPK “Veprimtaritë komunale” të Gucisë prej 5 anëtarësh dhe për kryetare emëruan zonjën Anesa Bektesheviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat