Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka shpallur të mërkurën e kaluar person të padëshirueshëm një diplomat të akredituar në Ambasadën e Rusisë në Podgoricë.
Përmes një postimi në Twitter, Qeveria malazeze sqaroi se diplomati rus ka shtatë ditë kohë për t’u larguar nga Mali i Zi.
Qeveria në Podgoricë po ashtu tha se i ka tërhequr pajtimin për veprim konsullit rus të nderit.
Këto veprime u bënë në koordinim me masat që kanë ndërmarrë vendet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s kundër Rusisë, të cilën Mbretëria e Bashkuar e fajëson për një sulm me gaz nervor në tokën e saj. Britania e Madhe ka akuzuar Moskën se qëndron prapa sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.
Por Rusia është përgjigjur me të njëjtën monedhë.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se do të dëbojë një diplomat të Malit të Zi, në përgjigje ndaj dëbimit të një diplomati rus nga Podgorica zyrtare, pas dyshimeve se Moska qëndron prapa sulmit me agjent nervor në Britani.
Britania, Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra qeveri në mbarë botën kanë dëbuar mbi 150 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi.
Pavarësisht lidhjeve gjuhësore, fetare dhe ekonomike, marrëdhëniet mes Moskës dhe Podgoricës janë përkeqësuar, pasi Mali i Zi ka kërkuar raporte më të ngushta me Perëndimin.
Hyrja e Malit të Zi në NATO ngjalli zemërim në Moskë. Autoritetet në Podgoricë kanë thënë se inteligjenca ruse qëndron prapa një tentim puçi në vitin 2016. (Kohapress/REL)
