Shkolla Fillore “Marshall Tito” në Ulqin është bërë pre e kërcënimeve përmes internetit për një masakër në këtë shkollë.
Kërcënimi i publikuar në rrjetet sociale se do të përgatitet një sulm i dhunshëm në një shkollë në Ulqin, ka ngritur në këmbë policinë e Malit të Zi.
Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL) ka njoftuar kolegët e tij nga Mali i Zi se kërcënimi është publikuar në internet.
Sipas informacioneve jozyrtare, shërbimet ndërkombëtare të sigurisë nuk kanë pasur të dhëna për identitetin e personit që ka bërë të ditur kërcënimet të shtunën. Jozyrtarisht mësohet se kërcënimet kanë ardhur nga llogaria e Google “Adolf Hitler” në një shërbim të blogjeve, e cila dyshohet se mbledh neonazistë të cilët janë ftuar të kryejnë vrasje masive me armë zjarri në këtë shkollë të Ulqinit.
Situata e krijuar ka bërë që policia e Ulqinit të ndërmarrë masa kontrolli në kërkim të kërcënuesit anonim.
Kryeshefi i Policisë së Ulqinit, Arben Tagani, ka thënë se po e hetojnë rastin dhe po e mbajnë gjithçka “nën kontroll”.
Drejtoresha e shkollës, Medina Çoba, ka bërë thirrje për kujdes dhe që të gjithë personat e dyshimtë dhe të panjohur të lajmërohen menjëherë në polici.
Ndërkaq Tagani ka thënë se nuk ka vend për panik.
“Sigurisht, ne besojmë gjithçka dhe e mbajmë nën kontroll. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos kenë panik dhe të dinë që ne punojmë mirë dhe profesionalisht”, ka deklaruar ai. Mësimi në këtë shkollë ka vijuar normalisht gjatë kësaj jave, nën masa të shtuara sigurie.
(Kohapress)
