Ulqin – Komuna e Ulqinit kërkon që Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare” të anulojë tenderin për dhënien e plazheve me qira, për shkak të procedurave jotransparente, abuzive dhe kundër interesave të qytetarëve të Ulqinit.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në një konferencë për shtyp të martën.
“Ne vazhdojmë të insistojmë që ky tender të anulohet, që të gjitha kontratat ekzistuese të vazhdojnë me aneks dhe që ndryshimet e propozuara të Ligjit për të Mirat Detare të miratohen në mënyrë që vitin e ardhshëm të realizohen tenderë transparentë për qiradhënien e plazheve dhe objekteve në zonën e Të Mirave Detare. Rezultatet e këtij tenderi tregojnë qartë se të gjitha pohimet e ministrit përgjegjës dhe të ish-drejtorit të ndërmarrjes publike për menaxhimin e Të Mirave Detare ishin të pasakta”, ka thënë ai.
Reagimi i kryetarit të Komunës së Ulqinit vjen pas publikimit të rezultateve të tenderit për dhënien me qira të plazheve në këtë komunë, ku kompania “Eagle Hills Montenegro” e investitorit të njohur Muhamed Alaber, e themeluar pas shtyrjes së afatit të tenderit, është shpallur fituese për nëntë plazhe të njohura të Ulqinit, që më herët i kanë pasur me qira kryesisht afaristët vendas.
Nimanbegu e ka përshkruar këtë si një desant të organizuar dhe të paprecedent, të sinkronizuar me institucionet e sistemit.
Ai ka thënë se atë që e kanë paralajmëruar më herët ka dalë më se e vërtetë, tani kur qëllimet dhe situata janë më të qarta.
“Gjatë muajve të fundit kemi qenë dëshmitarë të miratimit të Programit të lokacioneve të përkohshme në zonën e të Mirave detare pa mendimin pozitiv të asnjë komune bregdetare, pastaj miratimit të çmimores për dhënien me qira të plazheve dhe organizimit të shpejtë të tenderëve, ku mori pjesë edhe kompania e sapokrijuar e investitorit të njohur Muhamed Alabar”, ka thënë Nimanbegu.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka treguar se për habinë e tij, në takimin e zhvilluar të premten (14 mars 2025) në Podgoricë me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, është shfaqur edhe investitori Muhamed Alabar.
“Në atë takim, si dhe në deklaratat e mëvonshme për mediat, na u paraqit interesi për investime në komunën tonë. E kam theksuar qartë që në procesin e planifikimit dhe diskutimeve për investimet janë bërë gabime të rënda, sepse për zhvillim të qëndrueshëm është e nevojshme që të gjitha palët e përfshira të ndajnë një vizion të përbashkët. Vetëm me kuptim dhe pajtueshmëri të ndërsjellë mund të ndërtohet një histori e suksesshme dhe e qëndrueshme afatgjatë”, ka thënë Nimanbegu, duke nënvizuar se Komuna e Ulqinit nuk është kundër zhvillimit, por insistojnë që ai të jetë në përputhje me interesat afatgjata të qytetarëve të Ulqinit.
Pas situatës së krijuar me tenderin për dhënien e plazheve me qira, kryetari i i Komunës së Ulqinit ka shprehur brengosjen për rrezikimin e sezonit turistik.
“Me këto hapa Qeveria ka arritur të rrezikojë sezonin turistik që vjen dhe kjo pikërisht në momentin kur tregjet emitente planifikojnë pushimet e tyre vjetore. Pra, anulimi i tenderit dhe nënshkrimi i aneksit të kontratave me qiramarrësit do të ndihmonte në parandalimin e rritjes së çmimeve të shërbimeve, duke bërë që Ulqini të mbetet një destinacion konkurrues dhe duke parandaluar një problem të madh për ekonominë e këtij qyteti”, ka deklaruar Nimanbegu.
Lidhur me këtë çështje si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e komunës së Ulqinit është paralajmëruar se sot do të debatojë edhe Kuvendi i Komunës së Ulqinit në një seancë të posaçme të thirrur me nismën e të gjitha klubeve të këshilltarëve, ndërkohë që Shoqata e Qiramarrësve të Plazheve ka njoftuar se të shtunën do të organizojë protestën e radhës, të parën pas publikimit të rezultateve të tenderit nga NP “Të Mirat Detare“.
i. k.
LD në MZ: Vendime arbitrare me prapavijë politike
Lidhja Demokratike në Mal të Zi i ka cilësuar si arbitrare vendimet e NP “Të Mirat Detare” për dhënien me qira të plazheve në Ulqin duke konstatuar se ato nuk kanë qëllim vetëm shkatërrimin e ekonomisë së Ulqinit, por kanë edhe prapavijë politike.
Në reagimin e kësaj force politike, ndër të tjera thuhet se qëllim kryesor mbetet diskriminimi i vazhdueshëm i pakicës shqiptare si popull autokton në trojet e veta etnike, me qëllim përfundimtar nxitjen e emigrimit si plaga më e rëndë shqiptare ndër shekuj.
“Andaj u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të rishqyrtojnë vendimet të cilat dertjtëpërdrejt dëmtojnë interesat e shqiptarëve në Mal të Zi, ndërkombëtarëve të akredituar në Mal të Zi të marrin në konsideratë shqetësimet tona si dhe përfaqësuesve shqiptarë të rishqyrtojnë vendimet e veta për të vazhduar të jenë pjesë e një qeverie e cila me veprimet e veta dëmton rëndë interesat e shqiptarëve”, thekson reagimi.
LD në MZ shpreh dyshime se kush qëndron realisht pas kompanisë “Eagle Hills Montenegro”.
“Mënyra e realizimit të ankandit hap dyshime se kush do të jenë mafiozët e rinj, pasi ministri Radulloviq i quajti ish-shfrytëzuesit e plazheve me gjuhë denigruese ‘mafiozë’. A mos është kamuflim për oligarkët e rinj, të sjellë nga jashtë Malit të Zi e të mbështetur edhe nga anëtarët e kabinetit qeveritar, pjesë e të cilit janë edhe përfaqësues të pakicës boshnjake dhe pjesa më e madhe e përfaqësuesve shqiptarë”, thuhet në reagim, duke nënvizuar se LD në MZ nuk e ka mbështetur dhe nuk është pjesë e, siç thuhet, kësaj qeverie klienteliste