Rrezikohet seriozisht sezoni turistik në Ulqin

Ulqin – Vonesa në kryerjen e punimeve në aksin rrugor Krythë-Ulqin, pjesë e rrugës magjistrale Ulqin–Sukubinë, rrezikon seriozisht sezonin turistik veror në Ulqin pasi që askush nuk din të japë përgjigje se kur do të lëshohet në qarkullim për automjete ky aks.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiqi, me bashkëpunëtorët e tij, kanë vizituar të hënën punimet që po kryhen në këtë aks rrugor, me gjatësi 13.5 kilometra, ku janë njohur më për së afërmi me punimet që po kryhen në këtë segment, pjesë e të cilit janë ndërtimi i urës në Kllezën, me gjatësi 54 metra, dhe zgjerimi i tunelit të Klleznës.
Sipas deklaratës për shtyp nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Nrekiqi ka shprehur shqetësim lidhur me dinamikën e punimeve, që sipas tij dhe bashkëpunëtorëve po vonojnë.
“Andaj kërkoi nga ta angazhim maksimal që deri në fillim të muajit te ardhshëm të jetë në gjendje për kalimin e mysafirëve të cilët vijnë nga pika kufitare Sukubinë-Muriqan”, theksohet në deklaratën për shtyp.
Aksi rrugor Krythë-Ulqin vazhdon të jetë i mbyllur për komunikacion që prej datës 20 prill. Fillimisht u tha se do të jetë i mbyllur një muaj, deri më 20 maj, por kjo datë ka kohë që ka kaluar, ndërkohë që nuk dihet se kur mund të jetë gati për qarkullimin e automjeteve.
Para disa kohësh, konkretisht më 22 mars, punimet në këtë aks rrugor i ka inspektuar drejtori i Drejtorisë për Transportit, Savo Paraça, i shoqëruar nga kryetari i mëparshëm i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, dhe me atë rast është deklaruar se “në takim u konstatua se nisur nga kushtet klimaterike, mund të jemi të kënaqur me zhvillimin e punimeve”.
Me këtë rast është paralajmëruar se gjatë sezonit turistik do të ndërpriten në tërësi punimet në këtë aks rrugor ose eventualisht do të punohet në ato vende që nuk e pengojnë komunikacionin.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Transport, Sava Paraça, ka siguruar se për nevojat e sezonit turistik rruga do të përgatitet qoftë edhe me një shtresë të asfaltit me qëllim që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.
Punimet në rikontruksionin e aksit rrugor Krythë-Ulqin financohen nga Drejtoria për Transport, ndërsa kryhen nga firma “Met&Alu Plast” nga Danillogradi, e cila në bazë të kontratës së nënshkruar në tetor të vitit të kaluar duhet t’i përfundojë punimet në afat prej 360 ditë pune. i. k.

Të fundit

më të lexuarat