Ulqin – Qytetarët e Anës së Malit, Mërkotit, Peçuricës etj. kanë zhvilluar të dielën te rrethrrotullimi në Krythë të Anës së Malit një tubim protestues me kërkesën për rikonstruksionin e pjesës së rrugës R29, me gjatësi 14 kilometra, e cila lidh Tivarin me Anën e Malit dhe pikën e kalimit kufitar Sukubinë-Muriqan.
Ata kanë bllokuar për një orë komunikacionin te rrethrrotullimi në Krythë, në të gjitha drejtimet.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka thënë se kjo rrugë është jetike për banorët e Krythës, Anës së Malit, Krajës, Mërkotit, Peçuricës, diasporës sonë dhe turistëve ndërkombëtarë që kalojnë në këtë rrugë.
“Është jetike për ne banorët vendas që jetojmë e punojmë në këto treva, sepse shërbimet dhe ndihmën shëndetësore e marrim në Qendrën Spitalore të Tivarit, ndërsa shërbimi i urgjencës në Katërkollë dhe Ostros e ka humbur funksionin primar, sepse nuk mund të funksionojë si urgjencë në këtë gjendje në të cilën është kjo rrugë aktualisht. Është jetike sepse fuqia punëtore nga këto treva e shfrytëzon çdo ditë këtë rrugë për të shkuar në punë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Nika ka përmendur edhe një sërë arsyesh të tjera, duke thënë se rikonstruksioni i kësaj rruge duhet të jetë prioritet i secilës qeveri dhe duhet të shpallet tenderi dhe të fillojnë punimet sa më shpejt që është e mundur.
“Andaj ne jemi të vendosur dhe nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona për kushte normale të jetesës, për infrastrukturë ku nuk rrezikohet jeta dhe nuk na dëmtohet prona. Ne do të insistojmë në kërkesat tona dhe do t’i shpeshtojmë protestat si këto, deri në marrjen e një përgjigjeje nga Qeveria për shpalljen e tenderit dhe kohën e fillimit të punimeve”, ka thënë ai.
Në emër të banorëve të Peçuricës dhe Mërkotit ka folur Alen Pelinkoviq, i cili ka thënë se kjo rrugë paraqet fytyrën e Malit të Zi dhe tonën.
Ai ka përkujtuar se përmes kësaj rruge, sipas statistikave të viteve 2018-2019 kanë kaluar mbi 500 mijë automjete dhe dy milionë udhëtarë në pikën e kalimit kufitar.
Pelinkoviq ka theksuar se për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, në të ndodhin shpesh aksidente gjatë dimrit, por sidomos gjatë verës pothuajse për çdo ditë.
„Kjo rrugë ka marrë dhe merr jetë njerëzish… Kush kalon një herë nëpër këtë rrugë, nuk kalon më, jo vetëm nëpër këtë rrugë, por as në Mal të Zi“, ka thënë ai.
„E kemi gojën plot me turizëm dhe strategji të ndryshme, por nuk kemi rrugë normale nëpër të cilën hyhet dhe dilet nga Mali i Zi“, ka deklaruar Pelinkoviq.
Ai ka akuzuar Ministrinë për Investime Kapitale dhe ministrin Ervin Ibrahimoviq për manipulimin e fakteve lidhur me këtë rrugë dhe ekspropriimin e pronës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Myslimanëve të Malit të Zi, Sabrija Vuliq, ka lexuar letrën e dërguar nga Klubi „Rumia“ në Çikago, përmes së cilës mërkotasit në diasporë i mbështesin protestat dhe përpjekjet e Mërkotit që të realizojnë ëndrrën e gjeneratave, rikonstruksionin e rrugës nëpërmjet Mërkotit.
Në tubimin protestues nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pushtetit lokal të Ulqinit dhe as të partive politike shqiptare dhe të tjera që veprojnë në Komunën e Ulqinit.
Ky është tubimi i radhës që organizojnë banorët e Mërkotit, Peçuricës dhe të Anës së Malit. Qeveria e Malit të Zi i zhvendosi një pjesë të parave të planifikuara me buxhet për përgatitjen e tenderit për këtë rrugë për kryerjen e disa punimeve shtesë në Mateshevë, në autostradën Tivar – Bolare. Kjo shërbeu si shkak që banorët e trevës së Mërkotit dhe Peçuricës të nisin protestat.
i. k.
