Podgoricë – Komisioni për mbrojtjen e banorëve nga sëmundja covid-19 me propozim të Institutit të Shëndetit Publik, ka miratuar të dielën më 28 shkurt 2021 masat e reja me të cilat në komunën e Tuzit, Tivarit dhe Danillovgradit lejohet puna e shoqërive ekonomike dhe e sipërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtari hoteliere në objektet hoteliere, (bare, restorante, kafeteri, restorante hoteliere, dhe objekte të tjera të ngjashme hoteliere. Lajmin mbi vendosjen e masave të reja e ka kumtuar Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi.
Ndërkaq, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se ndalohet dalja e qytetarëve nga territori i gjashtë komunave të tjera: Podgorica, Ulqini, Cetina, Herceg Novi, Nikshiqi dhe Plluzhina, përveç në raste të punëve të përditshme të rregullta me vërtetim nga punëdhënësi apo me plotësimin e kushteve të tjera të cilat kjo ministri i ka përcaktuar qartazi.
Masat hyjnë në fuqi në datën publikimit të tyre në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi, përkatësisht nga e marta më 02.03.2021, është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se masat në fjalë do të jenë në fuqi deri më 10 mars 2021.
Rikujtojmë se urdhri i Qeverisë së Malit të Zi për mbylljen e objekteve hoteliere në Tuz si pjesë e masave mbrojtëse kundër koronavirusit në vend, është bërë shkas që një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Malësisë gjatë javës së kaluar, të ngrihen në protestë paqësore, duke bllokuar kështu rrugën Tuz-Podgoricë që lidh Malin e Zi me Shqipërinë dhe anasjelltas, të pakënaqur ndaj masave në fjalë.
Kreu i Komunës së Tuzit, në një takim që kishte zhvilluar me pronarët e bizneseve hoteliere në vend, kishte urdhëruar që ato të vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht vendosjes së masave nga Ministria e Shëndetësisë kundër pandemisë.
Ditën e mërkurë herët në mëngjes, (datë 25.02.2021), në Tuz kishin mbërritur forca të shumta të policisë për të kërkuar mbylljen e bizneseve dhe respektimin e ligjit në fuqi.
Kryetari i Komunës së Tuzit, vendosjen e këtyre masave për mbylljen e objekteve hoteliere edhe në Tuz e ka cilësuar si diskriminuese dhe politik, për arsye se, siç është shprehur ai, Tuzi ka qenë në zonën e gjelbër të tabelës që përcakton shkallën e rrezikut të pandemisë.
Protesta në fjalë ka zgjatur për disa orë, ku më pas kryetari i Komunës së Tuzit dhe deputeti Genci Nimanbegu zhvilluan takim me zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe me ministren e shëndetësisë Jelena Boroviniq-Bojoviq, ku nga ky takim janë dakorduar që në 48 orët e ardhshme, ISHP- ja në bazë të analizave të fundit të situatës epidemiologjike, do të shqyrtohej korrektimi e masave ekzistuese, të cilat do të vlejnë nga 1 marsi 2021.
t. u.
