Rifillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Plavë-Deçan

Deçan – Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me komunën e Deçanit kanë organizuar të martën ceremoninë e inaugurimit të rifillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Plavë-Deçan, e cila lidh Malin e Zi me Kosovën, duke shkurtuar ndjeshëm distancën.
Ceremonia është mbajtur te “Hidrocentrali Lumbardhi”, në kilometrin e gjashtë të rrugës Deçan-Plavë.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se punimet në këtë rrugë pritet që të zgjasin për rreth dy vite, ndërsa sa i përket kostos, Lekaj tregoi se për fillim kjo ministri ka ndarë katër milionë euro për ndërtimin e kësaj rruge.
“Punimet e rrugës që lidhin Deçanin me Malin e Zi, konkretisht me rajonin e Plavës, nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve do të përfundojnë në 2020. Ne si fillim për t’u nisur punimet i kemi ndarë katër milionë euro, por në total mund të shkojë deri në rreth 10 milionë euro”, ka thënë ai.
Në muajin shkurt, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për fillimin e punimeve në rrugën Deçan-Plavë.
Në atë kohë, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se në koordinim me operatorin e kontraktuar, ndërtimi i kësaj rruge do të fillojë në muajin mars të këtij viti, por për arsye që nuk janë bërë publike, ato janë shtyrë për një muaj.
Rruga Deçan – Plavë, e cila ishte paraparë të ndërtohej tash e sa vite, deri më tani ka mbetur peng i burokracisë dhe ankesave të Kishës Ortodokse Serbe, lidhur me trasenë e planifikuar të saj. Për disa vjet janë ndërtuar vetëm 1.5 kilometra për shkak se Qeveria e Kosovës me buxhetin e saj ka ndarë pak mjete financiare për këtë qëllim. Nga ana tjetër, Qeveria e Malit të Zi nuk ka ndërmarrë deri tani ndonjë hap konkret për ndërtimin e pjesës së kësaj rruge që kalon nëpër territorin e saj. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat