Rajoni të jetë ifokusuar tek eardhmja, jo teke kaluara

Podgoricë – “Qëllimi është që rajoni të jetë i fokusuar tek e ardhmja dhe jo tek e kaluara. Mendoj që të gjithë jemi të lodhur me temat nga e kaluara. Sigurisht që kanë mbetur çështje të hapura, por ne duam që ato sa më shpejt të mbyllen dhe të fillojë një epilog përfundimtar. Fokusi i rajonit gjithsesi duhet të jetë tek rruga jonë e përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, pas takimit që ka zhvilluar të premten me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë turit dyditor që ky i fundit ka zhvilluar në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Abazoviq ka thënë se qëllimi është që të gjithë bashkë të investojnë përpjekje me qëllim të depërshkallëzimit të situatës në tërësi në rajon.
Ai ka treguar se me kryeministrin Rama kanë folur edhe lidhur me disa çështje të tjera si dhe projektet e përbashkëta për të cilat janë marrë vesh në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në Podgoricë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se në takim me kryeministrin e Malit të Zi kanë diskutuar për temat që janë dhe arsyeja e vizitës së tij dyditore në të gjitha kryeqytetet e rajonit, si samiti i NATO-s në Lituani më 11 dhe 12 korrik dhe përgatitjet për samitin që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm se “falë Procesit të Berlinit dhe falë të gjitha nismave të tjera që kemi ndërmarrë, jemi në një fazë tjetër të historisë sonë dhe brezat nuk do të na e falin kurrë që ne të lejonim pa bërë të gjitha përpjekjet tona që rajoni të kthehej mbrapsht aty ku ka lënguar për shekuj të tërë deri para shumë pak vitesh tek konfliktet të cilat pastaj kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha dhe kanë hapur vija të thella urrejtjeje mes vendeve”.
Kryeministri Rama ka thënë se duan një paqe që të funksionojë për njerëzit në mënyrë që ata të kenë më shumë shanse, mundësi, punë, të ardhura dhe jo më shumë përralla dhe histori heroizmash.
“Heroizmat i përkasin të kaluarës. Ne nuk kemi nevojë për heronj të rinj në rajonin tonë. Ne kemi nevojë për modele të reja të cilat të frymëzojnë të tërë për sesi të jemi më inovativë, sesi të jemi më kreativë, sesi të jemi më efecientë, sesi t’i bëjmë ekonomitë tonë më të forta, sesi të stimulojmë zhvillimin, sesi të rrisim aftësitë e njerëzve tanë për të përballuar një botë që bëhet gjithmonë e më e vështirë dhe më komplekse”, ka deklaruar ai.
Gjatë turit të tij dyditor në vendet e rajonit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar vizita në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë – ku nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në Bosnjë e Hercegovinë, në Malin e Zi dhe në Serbi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat