Ulqin – Pjesëtarët e Njësisë së ndërhyrjes së shpejtë të policisë së Malit të Zi nga Qendra e Sigurisë në Tivar në bashkëpunim me pjesëtarët e Njësisë së Sigurisë së Ulqinit kanë ndërmarrë të shtunën mbrëma një aksion të bastisjes së lokaleve në Ulqin, duke ushtruar kontroll ndaj çdo qytetari që gjendej në këto lokale.
Sipas Drejtorisë së Policisë, aksioni është ndërmarrë me qëllim të kontrollit të personave që përbëjnë interes për policinë në aspektin e sigurisë, pas rastit të ndodhur të dielën e kaluar, kur një pjesëtar i Policisë së Ulqinit është sulmuar fizikisht, dhe pas përpjekjes së zhvatjes së një qytetari të Ulqinit nga ana e pjesëtarëve të grupit të organizuar kriminal nga Tivari, të ndodhur para disa ditësh në territorin e Komunës së Ulqinit.
“Nëpunësit e Qendrës së Sigurisë Tivar dhe Njësisë së Sigurisë Ulqin, me qëllim të gjetjes së personave të cilët policia i kërkon për shkak të veprave penale dhe me qëllim të kontrollit të të ashtuquajturve persona me interes për sigurinë, kanë ndërmarrë në Ulqin kontrollin e përforcuar të personave në objektet hotelierike. Me këtë rast nëpunësit e policisë kanë gjetur dhe i kanë shoqëruar në lokalet zyrtare tre persona të kërkuar”, thuhet në njoftimin për media të Drejtorisë së Policisë.
Por aksioni i policisë ka ngjallur reagimin e qytetarëve, të cilët janë ankuar se gjatë ushtrimit të kontrollit pjesëtarët e policisë kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj të gjithë klientëve të lokaleve pa përjashtim, disa prej të cilëve madje kanë përjetuar edhe lëndime trupore.
Aksioni i policisë ka bërë që disa dhjetëra qytetarë, në krye me udhëheqësit politikë në Ulqin, të protestojnë para godinës së Policisë në Ulqin.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se lidhur me aksionin e ka njoftuar ministrin e Punëve të Brendshme, Mevludin Nuhoxhiq.
Edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka, e ka dënuar aksionin e policisë, duke e quajtur brutal dhe të padrejtë.
Ndërkohë nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka kërkuar nga qytetarët që të deponojnë dëshmitë mbi ushtrimin e dhunës ndaj tyre, si dhe ka paralajmëruar që nëse vërtetohet dhuna, duhet të shkarkohen personat përgjegjës në radhët e policisë.
Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe deputeti i PDS-së, Luigj Shkrela, dhe kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq. Kjo lëvizje e ka cilësuar ndërhyrjen e policisë si të panevojshme dhe si demonstrim të forcës, si dhe ka kërkuar nga Drejtoria e Policisë që t’u kërkojë falje qytetarëve.
Disa të rinj janë ankuar se janë keqtrajtuar, ndërsa hotelierët e Ulqinit e kanë cilësuar aksionin e policisë si të paprecedent, i cili do të ndikojë negativisht në sezonin turistik veror.
Por nga Drejtoria e Policisë kanë thënë se nuk do të komentojnë deklaratat politike sepse “kontrolli i personave që përbëjnë interes për policinë dhe parandalimi i krimit nuk kanë kurrfarë lidhjeje me politikën”.
Megjithatë, sipas Drejtorisë së Policisë, nëse konstatohet se ndonjë nëpunës gjatë kontrollit policor i ka tejkaluar kompetencat e veta, ndaj tij do të ndërmerren masa dhe veprime me qëllim të sanksionimit të sjelljes së tillë.
Drejtoria e Policisë ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Ulqinit dhe të qyteteve të tjera dhe mbështetje për aktivitetet e këtilla të kontrollit në luftë kundër krimit të organizuar, zbulimit të veprave penale dhe parandalimit të krimit. (Kohapress)