Qiradhënia e objekteve edhe këtë vit të realizohet me anë të aneksit njëvjeçar

Ulqin – Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare” dhe Shoqatës së Qiramarrësve të Plazheve në Ulqin kanë diskutuar lidhur me përgatitjet për dhënien me qira të plazheve dhe objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, si dhe për hartimin e hartës së plazheve në territorin e komunës së Ulqinit.
Ky takim urgjent, i cili është mbajtur të enjten e kaluar (23 janar 2025), është thirrur me iniciativën e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, pas shqetësimeve që qiramarrësit e plazheve kanë shprehur në një takim paraprak me të në adresë të NP “Të Mirat Detare”.
Komuna e Ulqinit kërkon që çdo komunë bregdetare të ketë përfaqësuesit e saj në grupin e punës për hartimin e planit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se në këtë takim edhe një herë janë dëgjuar vërejtjet që Komuna e Ulqinit ka ndaj NP “Të Mirat Detare” për mënyrën e menaxhimit dhe investimeve të tyre në territorin e kësaj komune.
“Ndër të tjera, Komuna e Ulqinit ka shprehur shqetësimet për zhvillimin e ofertës turistike, e cila është bazë e mirëqenies ekonomike të qytetit tonë. Po ashtu, u theksua që politika e veprimit të Ndërmarrjes për të Mirat Detare ka qëllime të dëmshme, duke anashkaluar tërësisht afaristët dhe qiramarrësit e objekteve dhe plazheve që ndodhen në zonën e të mirave detare”, thekson deklarata për shtyp.
Një prej vërejtjeve të potencuara në takim ka të bëjë me çmimin e lartë të qirasë për plazhet, që vjen si rrjedhojë e disa faktorëve, siç janë: rritja e çmimit bazë, manovrimet me zonimin e Plazhit të Madh dhe rritja joreale e sipërfaqes që përfshin një plazh.
Po ashtu mbingarkesa e zonës së të mirave detare me objekte të ndryshme.
“Konkretisht, zona e Lumit Buna, e cila ka infrastrukturë të dobët, është tejmbushur me objekte dhe shtëpiza pa kritere. E njëjta praktikë po zbatohet edhe në plazhet e Ulqinit, duke planifikuar plazhe të reja në territorin e atyre ekzistuese”, thuhet në deklaratë.
Ndër vërejtjet tjera janë edhe kthimi i pikëve afirmative të qiramarrësve të vjetër në nivelin e së paku 30 për qind, siç ka qenë më herët, sepse çdo planifikim tjetër do të zvogëlonte investimin në përmirësimin e ofertës turistike, si dhe kthimi i plazheve publike në disa zona të qytetit, që do të avanconte ofertën turistike për të gjithë pushuesit, duke mos favorizuar vetëm ata që paguajnë për shfrytëzimin e plazhit.
Duke pasur parasysh vërejtjet e mësipërme dhe shumë të tjera, si mungesa e investimeve dhe anashkalimi i plotë i Komunës së Ulqinit, e cila është kontribuuesja më e madhe në territorin dhe financimin e “Të Mirave Detare”, Komuna e Ulqinit kërkon që qiradhënia e objekteve edhe këtë vit të realizohet me anë të aneksit njëvjeçar. Në të njëjtën kohë, ajo kërkon vendosjen në rendin e ditës së Kuvendit të Malit të Zi të ligjit të ri, i cili do t’ua kthente komunave bregdetare kompetencat e menaxhimit të zonës në territorin e tyre, që aktualisht menaxhohet nga NP “Të Mirat Detare”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat