Qeveria synon rritjen e nivelit të të drejtave të pakicave

Podgoricë – Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka deklaruar se në themel të veprimtarisë së Qeverisë që e drejton do të jetë rritja e shkallës së respektimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave në nivelin më të lartë të mundshëm, si dhe që opinioni përmes punës së Qeverisë do të bindet shumë shpejt se ajo që dëshirohet edhe mund të arrihet.
Ai i ka bërë këto deklarata në takimin që ka zhvilluar me përfaqësuesit e gjashtë këshillave nacionale të pakicave.
“Krivokapiq ka përsëritur se nuk është e vërtetë që Qeveria e Malit të Zi i ka përjashtuar përfaqësuesit e pakicave dhe u ka garantuar të gjithë qytetarëve se pavarësisht përkatësisë nacionale, nga kjo qeveri do të përfitojnë vetëm respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave”, thuhet në deklaratën për shtyp të Qeverisë së Malit të Zi.
Ndërkaq ministri i Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Vlladimir Leposaviq, ka thënë se Mali i Zi është shtet qytetar dhe se të gjitha kulturat e bashkësive nacionale janë kultura konstitutive të saj.
Në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, ka thënë se në takim i ka njoftuar “kryeministrin Krivokapiq dhe ministrin Leposaviq me situatën e KKSH-së, me aktivitetet e deritashme, duke theksuar vështirësitë dhe problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Malin e Zi, duke filluar nga përfaqësimi joproporcional në organet shtetërore, çështjet e arsimit në gjuhën shqipe, nevoja për investime dhe zhvillim në trevat e banuara nga shqiptarët, nevoja për decentralizimin e pushtetit, në veçanti kur është fjala për planifikimin hapësinor etj.”
Ai ka thënë po ashtu se kanë diskutuar edhe “mbi problematikat me të cilat ballafaqohen këshillat kombëtare, siç janë: kuadri ligjor dhe zbatimi, situata financiare për funksionimin dhe zhvillimin e projekteve të mirëfillta, funksionimin e Fondit për Pakica etj.”
Në takim ka marrë pjesë edhe këshilltarja e kryeministrit për pakica, Maida Gorçeviq.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat