Qeveria e Shqipërisë anulon projektin

Ndërtimi i urës mbi lumin Buna, një projekt i përbashkët i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është hequr së fundmi nga lista e projekteve prioritare nga Qeveria e Shqipërisë.
Megjithëse kuvendet e të dy shteteve e kanë miratuar marrëveshjen për ndërtimin e kësaj ure, e cila ishte firmosur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Podgoricë, më 27 shkurt 2023,
nuk është bërë pothuajse asgjë në jetësimin e saj.
Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes është thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria do të shpenzojnë rreth 20 milionë euro (nga 10 milionë euro secila palë) për t’i lidhur brigjet e dy qendrave bregdetare – Ulqinit dhe Velipojës – me një urë në lumin Buna. Sipas planit parashikohej që ura të ishte e gjatë 310 metra dhe do të ndërtohej në shtratin e Bunës, jo larg derdhjes së saj në Detin Adriatik. Me ndërtimin e kësaj ure në lumin Buna, rruga e tanishme prej rreth 70 kilometra ndërmjet qytetit të Ulqinit dhe Velipojës do të shkurtohej në vetëm disa kilometra.
Edhe pse kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviq u shprehën optimistë për ndërtimin e shpejtë të saj, ekspertët e fushës së ndërtimit dhe kritikët shprehën rezerva duke thënë se nuk janë bërë hulumtimet e nevojshme të terrenit dhe se nuk ekzistonin parakushtet pasi që ura nuk ndodhej në Planin Hapësinor të Malit të Zi.
Me ardhjen në pushtet të Qeverisë së kryeministrit Millojko Spajiq, ndërtimi i urës në Bunës praktikisht u hoq nga lista e prioriteteve, duke ndarë për këtë qëllim në buxhetin për vitin 2025 vetëm 5 mijë euro.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat