Qëllimi, përcaktimi i korridorit optimal

Gjatësia e këtij aksi rrugor është 42 kilometra dhe konsiderohet me rëndësi kyçe për avancimin e infrastrukturës rrugore të Malit të Zi dhe lidhjen e pjesës së tij jugore me Shqipërinë, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit

Kompania për menaxhimin e rrugëve “Monteput” ka bërë të ditur se ka shpallur tenderin për punimin e projektit ideor të aksit rrugor Tivar – Ulqin – Sukubinë, pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane.
Gjatësia e këtij aksi rrugor është 42 kilometra dhe konsiderohet me rëndësi kyçe për avancimin e infrastrukturës rrugore të Malit të Zi dhe lidhjen e pjesës së tij jugore me Shqipërinë, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Në tender thuhet se qëllimi i hartimit të dokumentacionit teknik është shqyrtimi i detajuar i varianteve dhe përcaktimi i korridorit optimal të trasesë së autostradës Adriatiko-Joniane, në pjesën nga hyrja jugore e tunelit Sozina drejt Tivarit dhe Ulqinit, deri në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan.
“Zgjidhja konceptuale do të përcaktojë trasenë optimale, do të krijojë kushtet për hartimin e dokumentacionit për fazat e ardhshme të projektit dhe së fundi do të përcaktojë kushtet për ndërtimin e kësaj rruge. Qëllimi i këtij projekti nuk është vetëm përmirësimi i lidhjeve të trafikut rrugor, por edhe valorizimi i potencialit turistik dhe përmirësimi i bashkëpunimit rajonal”, thekson tenderi.
Aksi rrugor parashikohet të ketë gjashtë mbikalime: te hyrja jugore e tunelit Sozina, në zonën e Tivarit, pastaj Tivarit të Vjetër, Peçuricë, Katërkollë dhe vendkalimin kufitar në Sukubinë. Shpejtësia e lëvizjes në rrugën kryesore parashikohet të jetë 100km/h, ndërsa rruga do të ketë katër korsi me gjerësi 3.5 metra dhe dy korsi ndihmëse me gjerësi 2.5 metra.
Gjatë hartimit të projektit ideor, projektuesi duhet të punojë së paku dy variante të zgjidhjes ideore të trasesë, duke pasur parasysh analizën e vendndodhjes së tunelit, urave, mbikalimeve dhe objekteve të tjera ndihmëse, si dhe vlerësimin e kostos së ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat