Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Radio Televizioni i Malit të Zi kanë nënshkruar të mërkurën e kaluar (3 korrik 2024) Memorandumin e bashkëpunimit me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit më të mirë të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Memorandumi është nënshkruar nga ministri Fatmir Gjeka dhe drejtori i përgjithshëm i RTMZ-së, Boris Raoniq.
“Palët nënshkruese janë pajtuar që bashkëpunimi i përbashkët do të arrihet përmes transmetimit të përmbajtjes programore që do të promovonte aktivitetet e realizuara nga Ministria, bazuar në skemën programore të RTMZ-së: mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut; mbrojtja nga diskriminimi; monitorimi i realizimit dhe i mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera kombëtare pakicë në aspektin e identitetit kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar; përmirësimi i marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet pjesëtarëve të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare pakicë; përmirësimi i tolerancës ndëretnike në Mal të Zi; barazia gjinore; përmirësimi i pozitës së romëve dhe egjiptianëve dhe integrimi i tyre në të gjitha rrjedhat e jetës shoqërore; bashkëpunimi dhe komunikimi i ndërsjellë me qëllim të promovimit të dialogut ndërkulturor dhe forcimit të bashkëjetesës, si dhe aktiviteteve të cilat i zbatojnë këshillat kombëtare në Mal të Zi dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi”, thuhet ndër të tjera në Memorandum.
Ato janë pajtuar që Ministria do të propozojë përmbajtjen tematike të emisionit, të cilën do ta realizojë redaksia në përputhje me parimet programore të RTMZ-së. Shërbimi publik do të sigurojë gjithë logjistikën teknike-produksionale të domosdoshme për realizimin e emisionit. Me këtë memorandum RTMZ obligohet që një herë në javë të emetojë përmbajtje programore televizive në kohëzgjatje deri në 15 minuta në Programin e Parë, si dhe nëpërmjet programit satelitor.
Nënshkrimi i Memorandumit ka për qëllim informimin më të mirë të qytetarëve mbi rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, luftën kundër diskriminimit, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare pakicë në pjesën e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor dhe gjuhësor, si dhe përmirësimin e tolerancës ndëretnike në Mal të Zi.
Ministri Gjeka ka thënë se me nënshkrimin e këtij memorandumi Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dëshiron të përmirësojë bashkëpunimin me transmetuesin publik dhe të kontribuojë në edukimin dhe përmirësimin e njohurive të opinionit të përgjithshëm mbi respektimin e të drejtave të njeriut.
Ndërkaq drejtori i përgjithshëm i RTMZ-së, Boris Raoniq ka vënë në pah rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe rolin e këtij transmetuesi publik në këtë proces.
“Radio Televizioni i Malit të Zi, si shërbim publik kombëtar, ka për detyrë të realizojë interesin publik, në mënyrë që, ndër të tjera, në programin e vet do të respektojë të drejtat dhe liritë themelore, pluralizmin e qëndrimeve dhe mendimeve. Kjo është arsye pse Memorandumi është i një rëndësie të jashtëzakonshme publike, kurse bashkëpunimi ndërmjet Shërbimit publik dhe Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave do të kontribuojë në promovimin e këtyre vlerave”, ka thënë ai.
i. k.