Drejtoria për financimin e mjeteve financiare të ndihmës së Bashkimit Evropian në Ministrinë e Financave të Malit të Zi ka publikuar të premten Thirrjen e parë për dorëzimin e propozimit të projekteve në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë 2014-2020.
Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Financave theksohet se qëllimi i përgjithshëm i Thirrjes së parë është përmirësimi i standardit dhe i cilësisë së jetës së njerëzve në zonën e përfshirë në program, përmes zhvillimit ekonomik ekologjik të qëndrueshëm dhe zhvillimit social inkluziv të rajonit, duke respektuar trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe natyrore.
Shuma e përgjithshme indikative e Thirrjes së parë është 2.04 milionë euro, që përbën kontributin e BE-së në zbatimin e programit.
Prioritetet tematike të Thirrjes së parë janë: promovimi i punësimit, mobilitetit të fuqisë punëtore dhe inkluzionit social dhe kulturor në të dyja anët e kufirit; mbrojtja e mjedisit jetësor, nxitja e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zvogëlimit të tyre, parandalimit dhe menaxhimit të risqeve; nxitja e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Afati për dërgimin e projekteve ideore është deri më 25 prill 2017.
Gjatë muajit shkurt, Mali i Zi dhe Kosova nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar “IPA II 2014-2020”, në bazë të të cilit komunave që ndodhen në zonën kufitare do t’u ndahen mjete financiare në shumë prej 8.4 milionë euro.
(Kohapress)