Ulqin – Komuna e Ulqinit dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, me mbështetjen e Qeverisë së Malit të Zi, organizuan për të parën herë në Ulqin, më 7-8 tetor 2022, Forumin Ekonomik Ndërkombëtar “Ulqini 2023”.
Ky forum dyditor kishte për qëllim promovimin e turizmit dhe mundësisë së investimeve të reja në Komunën e Ulqinit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se Mali i Zi është ekonomi e hapur, e bazuar në shërbime, e cila varet nga investimet e huaja direkte.
Sipas tij, bizneset e Ulqinit janë më pak të pranishme në tregun e Kosovës, mirëpo ky forum është mundësi e hapjes së tregut për bizneset e të gjitha vendeve në Ballkan e në veçanti me Kosovën, ku mbi 30 për qind e të gjithë pushuesve janë nga Kosova, kurse investitorët më të mëdhenj në Ulqin prapë mbeten kosovarët.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se Kosova është partner i qëndrueshëm i Malit të Zi dhe po vazhdon të punojnë në këtë drejtim.
Ai ka thënë se Mali i Zi duhet t’i heqë burokracitë në marrjen e lejeve e licencave të ndryshme për të ardhur më lehtë për të investuar këtu.
Shahini ka nënvizuar se përgjatë dy viteve të fundit në Ulqin janë kryer investime me vlerë prej miliona eurosh nga kosovarët, të cilët sipas tij janë liderë në aspektin e investimeve dhe si turistë tradicionalë. Ai ka thënë se kosovarët kanë më shumë prona në Ulqin sesa në tërë Shqipërinë.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka pohuar po ashtu se investimet më të mëdha në Ulqin vijnë nga Kosova dhe se ky është rast i mirë që t’i shohin nga afër procedurat.
Ai ka thënë se po shohin mundësinë për të hapur një dhomë ekonomike të përbashkët në Ulqin.
Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar “Ulqini 2023”, Komuna e Ulqinit prezantoi mundësitë për investime në fushat e ndërtimtarisë, hotelerisë, turizmit, shërbimeve të tjera prodhuese, përpunuese dhe tregtare.
Në forum morën pjesë mbi 100 përfaqësues të bizneseve të sektorëve të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zhvilluar edhe takime dypalëshe B2B.
Ditën e dytë të Forumit u organizuan vizita në zona dhe parcela të ndryshme si potenciale për bashkinvestim të investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Forumi është mbyllur me takimin që disa nga përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës patën në Komunën e Ulqinit.
Sipas organizatorëve të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Ulqini dhe kosovarët mbesin besnikë të përhershëm të njëri-tjetrit dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me takime me biznese dhe investitorë potencialë.
(Kohapress)
