Projekt i vogël me rëndësi të veçantë

Ulqin – Salla e fizkulturës së Shkollës Fillore “Marshall Tito” në Ulqin është objekti sportiv i radhës në të cilin Ministria e Sportit ka investuar 34 800 euro për rikonstruksionin dhe adaptimin e saj.
Ceremonia e përfundimit të punimeve është zhvilluar të hënën, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Sportit, Nikolla Janoviq, dhe autoritetet vendore.
Kontratën për bashkëfinancimin e sanimit, rikonstruksionit dhe adaptimit të sallës së fizkulturës e kanë firmosur në tetor të vitit të kaluar drejtori i Shkollës Fillore “Marshall Tito”, Arben Llunjiq, dhe ministri i Sportit, Janko Lumoviq, ndërsa punimet janë kryer sipas dinamikës së planifikuar.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Sportit thuhet se duke e vizituar sallën me bashkëpunëtorët e tij, udhëheqësit e Komunës së Ulqinit dhe të Shkollës, ministri Lumoviq ka thënë se infrastruktura sportive adekuate është parakusht për zhvillimin e sportit rekreativ dhe profesional, si dhe ka përkujtuar se Ministria e Sportit që nga themelimi bashkëpunon me qeverisjet vendore, dhe se në infrastrukturën sportive deri tani në vazhdimësi janë investuar më shumë se gjysmë milion euro.
Ai ka thënë se Ministria e Sportit bën çdo gjë që fëmijëve t’u sigurojë kushte sa më të mira për t’u marrë me sport.
“E ardhmja e sportit malazias qëndron në këto salla të vogla të fizkulturës, në të cilat gjithmonë janë zhvilluar dhe pjekur sportistët tanë të mëdhenj”, ka theksuar Janoviq.
Për nder të hapjes së sallës së rinovuar, nxënësit kanë demonstruar aftësitë e tyre në taekwondo, pas së cilës ministri Janoviq ka shpallur zyrtarisht finalen shkollore në ping pong.
Drejtori i Shkollës Fillore “Marshall Tito”, Arben Llunjiq, ka theksuar se të gjitha punimet për rikonstruksionin e sallës së fizkulturës e kanë arsyetuar investimin me vlerë të Ministrisë së Sportit, dhe se salla ka fituar pamje dhe funksion krejt të ri, në të mirë të nxënësve, shkollës dhe klubeve sportive nga Ulqini.
Përpara hapjes solemne të sallës, ministri Janoviq u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ku është vlerësuar se rikonstruksioni i sallës së fizkulturës së Shkollës Fillore “Marshall Tito” është një projekt i vogël, por me rëndësi të madhe për Ulqinin.
Duke e falënderuar ministrin Janoviq për bashkëpunimin e deritashëm dhe mbështetjen e Ministrisë së Sportit për rikonstruksionin e sallës së fizkulturës, Cungu ka shprehur besimin se ajo do t’i kontribuojë afirmimit të sportit shkollor dhe atij të klubeve sportive në Ulqin dhe do të jetë në funksion të promovimit dhe zhvillimit të turizmit në Ulqin.
Ai po ashtu ka thënë se Komuna e Ulqinit po punon në hartimin e projekteve për ndërtimin e stadiumit të futbollit të qytetit dhe qendrës sportive në Plazhin e Madh.
Salla e fizkulturës e Shkollës Fillore “Marshall Tito” shfrytëzohet për trajnim dhe zhvillimin e ndeshjeve zyrtare nga disa klube sportive të Ulqinit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat