Projekt i rëndësishëm për të dy shtetet

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të së hënës (18 maj 2023), ka miratuar më 97 vota për, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi Lumin Buna/Bojana”, njoftohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Mbi këtë projekt madhor kohë më parë, përkatësisht më 27 shkurt të këtij viti, kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e dytë të përbashkët e cila u zhvillua në Podgoricë, firmosën Deklaratën e përbashkët dhe Marrëveshjen dypalëshe për ndërtimin e urës mbi Lumin Buna.
Në konferencën për media pas firmosjes së disa marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministri Abazoviq pati deklaruar se projekti mbi Lumin Buna do të kushtojë afro 20 milionë euro, ndërsa palët nënshkruese (Mali i Zi dhe Shqipëria) ishin pajtuar për bashkëfinancim të këtij projekti, duke e ndarë këtë shumë 50 me 50 përqind.
Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në lidhje me projektin në fjalë qe deklaruar se vonesa për nisjen e këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet ka ardhur për shkak të moskoordinimit dhe mungesës së bashkëpunimit, që sipas tij është vënë re në përgjithësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ura që pritet të ndërtohet mbi Lumin Buna do të lidhë Ulqinin dhe Velipojën, dy zona të njohura turistike, dhe do të shkurtojë ndjeshëm largësinë ndërmjet këtyre dy vendeve nga 70 kilometra sa është aktualisht. Ura do të jetë e gjatë 310 metra dhe e gjerë 17 metra, duke përfshirë trotuaret dhe shtigjet për biçikleta.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat