Projekt i rëndësishëm infrastrukturor për të dyja komunat

Javën e kaluar filloi faza e dytë e punimeve në bulevardin Tuz – Podgoricë, një aks rrugor që lidh Tuzin me Podgoricën dhe anasjelltas. Nga Komuna e Tuzit, këtë projekt infrastrukturor e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm, veçanërisht për zhvillimin ekonomik, ndërsa kryetari Nik Gjeloshaj ka thënë se Komuna e Tuzit për këtë ka firmosur kontratën me Drejtorinë për komunikacion mbi obligimet dypalëshe në realizimin e këtij projekti.
“Me afrimin e përfundimit të fazës së dytë, drejtoria në fjalë do të shpallë prokurimin publik për urën dhe fazën e tretë që menjëherë pas përfundimit të kësaj faze të fillohet me fazën finale nga Ura në Zharnicë e deri te ndërtesa e Komunës. Zhvillimi i infrastrukturës rrugore është parakusht për zhvillim ekonomik”, është shprehur Gjeloshaj.
Ai njoftoi se mbi fazën e tretë të punimeve që do të jetë edhe faza finale, Komuna e Tuzit e ka përfunduar dokumentacionin projektues, elaboratin dhe vlerësimin e shpronësimit që siç ka thënë, ia ka procesuar Drejtorisë për komunikacion.
Kujtojmë që punimet e fazës së parë të bulevardit që çon nga Tuzi drejt kryeqytetit Podgorica dhe anasjelltas, me gjatësi 1.6 kilometra u finalizuan në muajin qershor të vitit 2020, kur punimet qenë inspektuar nga presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, kryebashkiaku Ivan Vukoviq, drejtori i Drejtorisë për komunikacion Savo Paraça, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit Fadil Kajoshaj, drejtori i SHPK “Komunale” Nikollë Camaj dhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat