Pritet një pasqyrë e të dhënave gjithëpërfshirëse

“Nga fillimi i formimit të komunës së atëhershme urbane e deri kur u formua Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ne patëm probleme me të dhëna, me informacione nga terreni dhe kjo na e ka vështirësuar shumë punën tonë, sepse nuk kishim mundësi që të planifikonim masat përkatëse të subvencionimit për mbështetjen në sektorin e bujqësisë, me të gjitha degët e saj”, u shpreh sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka

Tuz –Drejtoria për Statistika “Monstat” në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe vetëqeverisjet lokale, do të fillojë anketimin në terren në të gjitha komunat, duke filluar nga data 1 tetor 2024 deri më 1 dhjetor 2024, i cili synon të mbledh të dhëna precize se sa është saktësisht numri i fermerëve që merren me prodhimtari bujqësore, përkatësisht i sipërfaqeve me të mbjella.
Në lidhje me këtë çështje u zhvillua një panel diskutimi në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit të enjten (19 shtator 2024), ku përveç sekretares së Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ismeta Gjoka, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Drejtorisë për Statistika “Monstat” dhe fermerë të shumtë nga Malësia.
Mbi realizimin e kësaj ankete në terren, është formuar edhe komisioni mbikëqyrës dhe regjistruesit (anketuesit) të cilët do të kryejnë regjistrimin në territorin e Komunës së Tuzit, të cilët do të jenë vendas, përkatësisht njohës të mirë të terrenit.
Sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, njëherësh anëtare e Komisionit për Regjistrim të Bujqësisë në këtë komunë, Ismeta Gjoka për gazetën Koha Javore thotë se në këtë regjistrim do të anketohen vetëm ata të cilët merren me bujqësi sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe që përfitojnë nga sektori bujqësor, përkatësisht fermerët të plotësojnë një nga tetë kriteret e përcaktuara me këtë regjistrim.
“Nga fillimi i formimit të Komunës së atëhershme urbane e deri kur u formua Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ne patëm probleme me të dhëna, me informacione nga terreni dhe kjo na e ka vështirësuar shumë punën tonë, sepse nuk kishim mundësi që të planifikonim masat përkatëse të subvencionimit për mbështetjen në sektorin e bujqësisë, me të gjitha degët e saj”, u shpreh sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka.
Ajo shpreh besimin se regjistrimi i cili do të kryhet në vazhdim do t’i ndihmojë shumë, pasi do t’u japë atyre një pasqyrë të saktë se cila nga degët e bujqësisë është më e zhvilluar, përkatësisht më e pazhvilluar, për të ndërmarrë më pas masat se ku ata të fokusohen më shumë.
Gjatë panelit të diskutimit, fermerët e pranishëm nxorën në pah një problematikë tjetër, atë të tkurrjes së tokave bujqësore, duke thënë se sipërfaqet e tokave pjellore nga viti në vit zvogëlohen si pasojë e siç thanë ata, ndërtimit të objekteve të banimit nëpër toka të karakterit bujqësor.
Ligji për Regjistrimin e Bujqësisë për vitin 2024 është miratuar në muajin korrik të këtij viti nga Kuvendi i Malit të Zi.
Regjistrimi i Bujqësisë kryhet një herë në dhjetë vjet, ndërsa realizohet sipas një metodologjie dhe udhëzimesh ndërkombëtarisht të krahasueshme nga organet e administratës përgjegjëse për çështjet statistikore-Drejtorisë së Statistikave.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat