Pritet harmonizimi me ligjet e tjera

Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të enjten Propozimligjin mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare.
Në komunikatën për shtyp të Qeverisë thuhet se në pajtim me të drejtat e pakicave të përcaktuara me Kushtetutën e Malit të Zi, me Ligjin e ri u mundësohet pjesëtarëve të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale zgjedhja, përdorimi dhe shfaqja publike e simboleve kombëtare, si dhe definohen qartë situatat kur ndalohet përdorimi i simboleve kombëtare.
Qeveria ka ngarkuar ministritë kompetente që, me qëllim të harmonizimit me Propozimligjin mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, të përgatisë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi simbolet shtetërore dhe të Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike, në mënyrë që të dërgohen së bashku në procedurën kuvendore.
Projektligji mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare është hartuar nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, e ka përshëndetur miratimin e këtij propozimligji nga Qeveria e Malit të Zi.
Nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave kanë thënë se hartimi i Ligjit të ri është diktuar ngaqë Ligjin mbi përdorimin e simboleve nacionale, i cili daton nga viti 2000, e ka shkelur koha, pastaj miratimi i Kushtetutës së re të Malit të Zi, si dhe mangësitë e Ligjit në fuqi në pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e simboleve kombëtare.
Në përbërjen e Grupit të punës për hartimin e Projektligjit mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare kanë marrë pjesë përfaqësues të këshillave kombëtare të të gjithë popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale në Mal të Zi, dy përfaqësues të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Kuvendit të Malit të Zi, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Kulturës dhe institucionit të Avokatit të Popullit të Malit të Zi.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat