Prishet monumenti i heroit Isuf Çelaj në Vuthaj

Komuna e Gucisë ka zbatuar urdhrin e Inspektoriatit për Trashëgimi Kulturore të Ministrisë së Kulturës duke prishur monumentin e heroit shqiptar Isuf Çelaj në fshatin Vuthaj të Gucisë, të ngritur në vitin 2013 nga familjarët dhe banorët e këtij fshati në shenjë nderimi për kontributin e tij për mbrojtjen e trevave shqiptare dhe popullatës vendore.
Ky akt ka ngjallur reagime të shumta, por edhe akuza dhe kundërakuza të institucioneve, forcave politike dhe individëve të ndryshëm.
Në reagimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi thuhet se për shqiptarët veprimtarët si Isuf Kamer Çelaj, të cilët kanë mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, pronën, vendin e vet e kombin përballë çdo agresori e pushtuesi janë heronj dhe në anën e duhur të historisë.
“Nga ana tjetër, ata që e akuzojnë Isuf Kamer Çelajn për bashkëpunëtor të okupatorit dhe pjesëmarrës në krime lufte, duhet të paraqesin dëshmi e fakte të pakundërshtueshme e jo vlerësime emocionale dhe etiketime subjektive”, ka deklaruar kryetari i KKSH-së, Faik Nika, pas vizitës në fshatin Vuthaj.
KKSH e ka cilësuar të rrezikshëm veprimin e Ministrisë së Kulturës dhe Medias, nga e cila ka kërkuar “që të ndalë praktikën e vendimeve të njëanshme dhe autoritare, dhe që në vend të ultimatumeve – të hapë dialog, sepse një shtet që shemb përmendore pa e dëgjuar zërin e qytetarëve rrezikon të shembë edhe urat e besimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve që e përbëjnë këtë shtet”.
Dega e Alternativës Shqiptare në Guci ka fajësuar pushtetin lokal në Guci, pjesë e të cilit është edhe Lëvizja për Gucinë, për prishjen e bustit të Isuf Çelajt, duke i quajtur veprime të papranueshme.
Sipas saj, arsyetimi i Ministrisë së Kulturës, e cila i ishte drejtuar Komunës edhe më herët se “busti është pa leje”, nuk qëndron.
“U garantojmë se leja ka qenë më së paku problem; problemi ishte dhe mbetet historia – ajo shqiptare. Tendenca për ta njollosur figurën me akuza të pabaza, se i njëjti kishte kryer krime ndaj civilëve, është e përgatitur mirë nga qarqe antishqiptare, përderisa në atë kohë ai nuk ishte më gjallë. Reagimi i menjëhershëm i Komunës, në orët e para të mëngjesit, për ta hequr bustin, duket se ka qenë i koordinuar”, kanë theksuar nga kjo parti.
Ndërsa në një deklaratë publike të nënkryetarit të Komunës së Gucisë, Asdren Çelaj, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes për Gucinë, ai i ka cilësuar si propagandë dhe keqpërdorim të figurës së Isuf (Kamer) Çelajt deklaratat nga përfaqësuesit e Forumit Shqiptar.
Sipas tij, urdhri për largimin e bustit të Isuf Çelajt nuk është marrë nga Komuna, as nga kushdo qoftë tjetër në Komunë, por është deleguar drejtpërdrejt nga Qeveria e shtetit – Ministria e Kulturës, në të cilin përcaktohet afati treditor (pra, ultimatum) për largimin e përmendores me arsyetimin se nuk posedon leje ndërtimi.
“Habit fakti se si kanë fytyrë të flasin nga Forumi Shqiptar, të cilët derisa u largua busti nuk dhanë asnjë reagim, asnjë distancim nga deklarata e ministres së tyre të Kulturës, por u shfaqën tani pas tastierës duke hedhur akuza të pabaza ndaj meje e kolegëve të mi, sikurse ky ultimatum të ishte dhënë nga ne!”, ka thënë ai.
Nënkryetari Çelaj, i cili rrjedh nga familja e patriotit Isuf Çelajt, ka deklaruar se “fatkeqësisht, e gjithë kjo situatë është shembull i qartë i keqpërdorimit të figurës së Isuf Kamer Çelaj për përfitime të ngushta politike nga disa përfaqësues të Forumit Shqiptar e të Lidhjes Demokratike Shqiptare – Guci”.
Personalitete shqiptare dhe individë të fushave të ndryshme, si dhe pasardhësit e Isuf Çelajt kanë dënuar prishjen e bustit të tij, duke e cilësuar si sulm ndaj kujtesës historike shqiptare.
Prishja e monumentit të Isuf Çelajt vjen pas incidentit të ndodhur në fshatin Gornje Zaostro në Beran, kur u vendos e më pas u hoq shtatorja kushtuar komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, i njohur për kryerjen e krimeve ndaj popullsisë shqiptare dhe boshnjake.
Menjëherë pas kësaj, vetë ministrja e Kulturës dhe Medias, Dr. Tamara Vujoviq, kishte njoftuar se të premten, më 8 gusht 2025, kishte vizituar Vuthajt dhe vendin ku ndodhet monumenti i Isuf Çelajt, dhe se do t’i urdhërojë organet ekzekutive që ta heqin këtë monument të ngritur në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.

(Kohapress)


Përmendorja mund të hiqet, por ideali i Isuf Çelajt nuk shuhet

Pas aktit të dhimbshëm të heqjes së përmendores së heroit të të drejtave shqiptare, Isuf Kamer Çelajt, nga Vuthajt e Plavë-Gucisë, nipi i tij Gëzim Çelaj ka reaguar publikisht me një qëndrim të fortë dhe dinjitoz.
Ky reagim nuk është vetëm mbrojtje e figurës së një luftëtari të të drejtave të shqiptarëve, por një thirrje për drejtësi, kujtesë historike dhe respekt ndaj kontributit të brezave që luftuan për liri e dinjitet.
“Me indinjatë të thellë dhe shqetësim të madh, dënojmë aktin e paprecedent të heqjes së përmendores së luftëtarit të të drejtave shqiptare, Isuf Çelaj, në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, Mali i Zi. Ky veprim përfaqëson një goditje të rëndë ndaj kujtesës historike, dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike”, ka thënë ai.
Pasardhësi i Isuf Çelajt ka thënë se gjyshi i tij nuk ishte as kriminel, as figurë që nxit ndasi etnike.
“Përkundrazi, ai ishte një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, një zë i arsyes dhe i drejtësisë, i cili në momente të vështira tregoi guxim e humanizëm, duke mbrojtur edhe qytetarë të etnive të tjera nga padrejtësitë”, ka thënë ai.
Sipas tij, heqja e përmendores Isuf Çelajt “është një akt barbar, që flet për një qasje të rrezikshme dhe antidemokratike të autoriteteve malazeze ndaj historisë dhe kontributit të shqiptarëve në këtë rajon”.
Gëzim Çelaj ka thënë se si nip i Isuf Çelajt ndien jo vetëm dhimbje personale, por edhe përgjegjësi morale për të mbrojtur figurën dhe trashëgiminë e tij nga deformimi dhe fshirja e qëllimshme.
“Ne nuk do të heshtim përballë këtij provokimi. Do të ndërmarrim çdo hap ligjor dhe demokratik për të mbrojtur veprën, figurën dhe trashëgiminë e Isuf Çelajt. Kjo nuk është vetëm një çështje përkujtimore, por një betejë për të drejtën tonë për të nderuar ata që kanë luftuar për liri, barazi dhe dinjitet. U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave për të drejtat e njeriut dhe opinionit publik që të dënojnë këtë akt dhe të mbështesin përpjekjet tona për drejtësi dhe respekt ndaj historisë sonë”, ka thënë ai, duke përfunduar se “Isuf Çelaj jeton në kujtesën tonë. Përmendorja mund të hiqet, por ideali i tij nuk shuhet”.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat