Prioritet hapjae vendkalimitkufitar në Çakorr

Plavë – Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, dhe ai i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë vlerësuar se hapja e vendkalimit kufitar Çakorr do të kishte rëndësi të pamatshme për të dyja komunat – të Plavës dhe Pejës, si në pikëpamje të valorizimit turistik e ekonomik, ashtu edhe në fuqizimin e lidhjeve miqësore e familjare të qytetarëve të dy komunave dhe më gjerë.
Bashkëbiseduesit në takim kanë konkluduar njëzëri që sërish t’u bëhet apel qeverive qendrore të Malit të Zi dhe Kosovës që kjo çështje të jetë prioritare në mbledhjet e tyre dhe definitivisht të hapet rruga, e cila në mënyrë të natyrshme i lidhë këto dy qendra.
Në takim palët kanë biseduar edhe mbi bashkëpunimin për aplikim me projekte të përbashkëta ndërkufitare të dy komunave në fondet e Bashkimit Evropian, veçanërisht duke theksuar projektin që ka të bëjë me valorizimin turistik të rrugës tregtare nëpër Qafë të Diellit, e cila me mjaft sukses e ka kaluar fazën e konceptit vlerësues.
Gjatë takimit pjesëmarrësit kanë shkëmbyer mendime edhe mbi tema të tjera me vlerë, të rëndësishme për dy komunat (Plavë e Pejë), me qëllim të përbashkët që përmes raporteve të partneritetit t’i kontribuojnë zhvillimit dhe fuqizimit të bashkëpunimit tejkufitar.
Takimi ndërmjet kryetarëve të komunave të Plavës dhe Pejës, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, është zhvilluar të premten, më 12 shtator 2025, pas përfundimit të ceremonisë së zhvilluar në mjediset e Qendrës së Kulturës “Husein Bashiq” në Plavë, me rastin e shënimit të 27 vjetorit të ikjes së qytetarëve nga Kosova në territorin e Plavës dhe Gucisë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat