Ministria e Punëve Evropiane prezantoi furnizimin me pajisje për komunën e Tuzit, në kuadër të projekteve “Toward Zero Waste” dhe “Crossmart”, në një aktivitet të mbajtur më 24 shkurt 2026, në sallën e Kuvendit të Komunës, si pjesë e Programit “Interreg IPA” për bashkëpunim ndërkufitar Kroaci – Bosnje dhe Hercegovinë – Mali i Zi.
Mbi rëndësinë që kanë këto projekte për zhvillimin e komunave dhe në tërësi të shtetit i cili synon të integrohet në familjen evropiane, folën zëvendëskryeministri, njëherësh ministri për Zhvillimin Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe ministrja e Punëve Evropiane, Maida Gorçeviq.
Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj, duke iu drejtuar të pranishmëve, u shpreh se fondet e BE-së nuk janë përveçse një instrument financiar, por një mënyrë sesi ndryshohet komuna, sesi ndryshohet shteti, sesi ngriten standardet, sesi ndërtohen rregullat, sesi fuqizohet përgjegjësia dhe sesi vetëqeverisjet lokale bëhen konkurruese.
“Detyra jonë është e qartë, që vetëqeverisjet lokale t’i shndërrojmë nga shfrytëzues pasivë në bartës aktivë të projekteve. Pa komuna të fuqishme, nuk ka shtet të fuqishëm.
Pa komuna të afta për projekte, nuk ka Mal të Zi evropian”, u shpreh ndër të tjera ai.
Zëvendëskryeministri Gjeloshaj foli më tej për mbështetjen që jep Qeveria në zhvillimin dhe zbatimin e këtyre projekteve.
Ndërkohë, ministrja e Punëve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se ndien kënaqësi që në Tuz po shënojnë Ditën Evropiane, duke theksuar rolin e vetëqeverisjeve lokale në proceset e integrimeve evropiane të Malit të Zi.
“Pikërisht këtu, në nivelin lokal, identifikohen nevojat reale të qytetarëve, përcaktohen prioritetet dhe ndërmerren aktivitete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Prandaj komunat e fuqishme dhe të organizuara janë pikë kalimtare e cilit do zhvillim, ndërsa rruga jonë drejt BE-së nuk është veç një proces negociues, por proces transformimi ku fuqizojmë institucionet dhe avancojmë standardet”, u shpreh ministrja Gorçeviq.
Ajo më tutje tha se bashkëpunimi ndërkufitar përfaqëson thelbin e idesë evropiane.
“Nëpërmjet punës së përbashkët me fqinjët tanë dëshmojmë se zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit jetësor nuk njohin kufij administrativë, por përfaqësojnë një përgjegjësi të përbashkët të krejt rajonit”, theksoi ndër të tjera Gorçeviq.
Prandaj, është detyra jonë, tha ministrja, që të shkëmbejmë njohuritë dhe që në mënyrë të përbashkët të zbatojmë standardet evropiane, “në mënyrë që të fitojmë rezultate të qëndrueshme, afatgjata dhe të dukshme për qytetarët tanë”.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, shprehu rëndësinë që do të kenë pajisjet e siguruara në kuadër të projekteve për komunën e Tuzit.
“’Toward Zero Waste’ do të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve në komunën tonë. Me pajisjet e reja do të arrijmë efikasitet në mbrojtjen e mjedisit dhe do të krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë. Ndërsa projekti ‘Crossmart’ sjell risi në bujqësi, përmes teknologjive moderne si dronët dhe analizat e tokës, të cilat i ndihmojnë fermerët tanë të prodhojnë më mirë dhe më me efikasitet, duke forcuar ekonominë lokale”, theksoi ai.
Ndërkaq, aktiviteti vijoi me prezantimin e këtyre projekteve, qëllimin dhe rezultatet e arritura.
Në fund, të pranishmit vizituan pajisjet e siguruara nga këto projekte dhe u njohën me to.
Qëllimi i projektit është kalimi në ekonomi qarkore dhe efikase në burime përmes uljes së përbashkët të sasisë së mbeturinave në deponi, rritjes së mbledhjes së mbeturinave të ndara dhe reduktimin e deponive të paligjshme në komunën e Tuzit, komunën e Konavleve dhe qytetin e Mostarit.
T. Ujkaj
