Shkodër – Ndërtimi i rrugës Velipojë-Ulqin dhe hapja e pikës kufitare Pulaj-Shënkoll janë pjesë e Master Planit të projekteve që Qeveria e Shqipërisë parashikon të realizojë në të ardhmen e afërt.
Në ditën e dytë të mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë, që u mbajt gjatë fundjavës në Shkodër, Këshilli Kombëtar i Territorit në takimin e hapur për qytetarët, administratën qendrore dhe atë vendore, ka prezantuar Master Planin e projekteve në proces apo në përfundim, si dhe identifikimin e prioriteteve për investim.
Duke bërë prezantimin e Master Planit për Qarkun e Shkodrës, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ka thënë se “infrastruktura dhe rilindja urbane janë shtyllat kryesore të një plani që synon shfrytëzim të turizmit si element kyç”.
Ajo ka theksuar se është në proces përfundimi i rrugës së re të rikonstruktuar, Shkodër – Velipojë.
“Gjatë vitit 2018 do të kemi rrugën e Velipojës dhe Shëngjinit, dhe projektin tjetër për ta vazhduar Velipojë – Ulqin”, është shprehur Mesi.
Sipas saj, hapja e pikës kufitare Pulaj – Shënkoll është një projekt tjetër që parashikohet me Master Plan.
“Dhe në këtë projekt është menduar që të punohet pak edhe me Bunën që të bëhet lehtësisht e lundrueshme, sigurisht për lundrim të lehtë”, është shprehur ajo.
Ndërtimi i rrugës Velipojë – Ulqin dhe hapja e pikës së re kufitare në këtë aks rrugor vlerësohet se do të kenë ndikim pozitiv në valorizimin e potencialeve turistike të zonave përreth Lumit Buna dhe Detit Adriatik, si dhe do të afronin më tepër Ulqinin me Shqipërinë. (Kohapress)