Përmirësim i furnizimit me ujë gjatë tërë vitit

Ulqin – Komuna e Ulqinit dhe Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Ulqin kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen njëvjeçare me NP “Ujësjellësi Regjional” për furnizimin me ujë të pijshëm.
Marrëveshja parashikon që NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Ulqin të marrë për nevojat e konsumatorëve nga “Ujësjellësi Regjional” 25 litra ujë në sekondë jashtë sezonit të verës, kurse gjatë muajve të verës kjo sasi do të rritet në 40 litra ujë në sekondë.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit theksohet se kryetari Loro Nrekiq ka thënë se “nënshkrimi i marrëveshjes do të përmirësojë furnizimin me ujë gjatë tërë vitit, veçmas gjatë sezonit turistik dhe se çmimi për një vit është më i arsyeshëm sesa furnizimi me ujë vetëm gjatë muajve të verës”.
Për nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, mr. Fuad Haxhibeti, i cili ka sqaruar disa detaje të marrëveshjes.
Ndërkaq nënshkrimin e marrëveshjes e ka përshëndetur edhe drejtori i Ujësjellësit Regjional, Goran Jevriq, i cili ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Komunën e Ulqinit edhe në realizimin e projekteve të tjera.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat