Përkushtim i dyanshëm për angazhim drejt hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit

Prishtinë – I ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka zhvilluar të mërkurën e kaluar (11 janar 2023) takime me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në deklaratën për media të zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës thuhet se në takim, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve të mira fqinjësore në dobi të qytetarëve dhe bashkërendimin e qëndrimeve kundër tendencave destabilizuese në rajon.
“Palët diskutuan po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast Presidentja Osmani vlerësoi lart mbështetjen e Malit të Zi për perspektivën evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e lartë të vazhdimit të kësaj mbështetjeje përderisa Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim”, thekson deklarata.
Duke folur për rolin e komunitetit malazez në Kosovë, Presidentja Osmani ka potencuar bashkëpunimin e mirëfilltë në kuadër të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Palët diskutuan për mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me ç’rast u theksua përkushtimi i dyanshëm për angazhim drejt hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit.
Ndërkaq në takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.
“Duke shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Malit Zi ndaj Kosovës, veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e pozitës së Kosovës në iniciativa rajonale, Kryeministri Kurti e përgëzoi z. Çobaj për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të ngushtë”, thekson deklarata për media e zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Kurti ka theksuar vullnetin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për angazhim edhe më të madh në çështje të interesit të përbashkët të të dy vendeve e që kontribuojnë në zhvillimin e demokracisë dhe sigurinë në rajon.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat