Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme dhe njëherësh ushtruesi i detyrës së ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Filip Axhiq, është pritur të premten në Prishtinë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës thuhet se dy ministrat kanë diskutuar rreth bashkëpunimit fqinjësor, zhvillimit të kapaciteteve ushtarake profesionale përmes realizimit të ushtrimeve dhe trajnimeve të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive, e po ashtu edhe rreth ushtrimit fushor “Defender Europe ‘23”.
Ministri Mehaj e ka njoftuar homologun e tij malazez rreth zhvillimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, fazën e zbatimit të Planit të Transicionit, ndryshimeve ligjore, për rekrutimet e fundit, e gjithashtu edhe për synimet e qarta për anëtarësim në nismat rajonale, në A5, RACVIAC e Programin e Partneritetit për Paqe.
Nga ana tjetër, Ministri Axhiq ka theksuar se agresioni rus në Ukrainë ka qenë mesazh se duhet ndryshuar mënyrën e të funksionuarit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si shtete relativisht të vogla që duhet mbështetur njëri-tjetrin për të ruajtur stabilitetin e rajonit.
Mehaj dhe Axhiq kanë vizituar më pas Qendrën e Studimeve Universitare si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim në Pomazatin, ku u pritën nga komandanti i Komandës së Gardës Kombëtare, gjeneral brigade Naim Haziri.
Ministri Axhiq ka shprehur vlerësimin e tij për nivelin e lartë profesional të pjesëtarëve të FSK-së si dhe faktin që kontigjenti i specializuar i Kosovës është duke marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi.
“Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por është në dorën tonë që të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Në këtë aspekt Mali i Zi është i gatshëm të mendojë jashtë kutisë, dhe se Republikën e Kosovës e sheh si shtet partner që përtej aspektit gjeografik dhe shtrirjes brenda Ballkanit Perëndimor, na bashkojnë vlerat e përbashkëta demokratike, euro-atlantike”, ka theksuar ai.
Ministri Axhiq ka shprehur zotimin se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe, si rrugë drejt anëtarësimit në NATO.
(Kohapress)