Përfaqësuesit në takim shprehën pakënaqësi me shpërndarjen e mjeteve përvitin 2023

Podgoricë – Kryeministri Dr. Dritan Abazoviq dhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka kanë zhvilluar takim të enjten (3 gusht 2023) me përfaqësuesit e këshillave kombëtare në Mal të Zi, me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, kryetarin e Këshillit të Myslimanëve të Malit të Zi, Sabrija Vuliq, kryetarin e Këshillit Kombëtar Serb në Mal të Zi, Dr. Momçillo Vuksanoviq dhe me kryetarin e Këshillit Kroat në Mal të Zi, Zvonimir Dekoviq. Sipas deklaratës së zyrës së Kryeministrit, ky takim është zhvilluar me nismë të krerëve të katër këshillave kombëtare me rastin e ndarjes së mjeteve të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi për financimin e projekteve për mbështetje të aktiviteteve nga neni 36, paragrafi 1 i Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave për vitin 2023. “Përfaqësuesit e këshillave kombëtare kanë shprehur pakënaqësi me shpërndarjen e mjeteve për vitin 2023, duke theksuar se në konkursin e fundit kanë fituar rreth 20 përqind të mjeteve të përgjithshme, duke shtuar se bëhet fjalë për një padrejtësi kulminante e cila zgjat tash e disa vjet”, thuhet në këtë deklaratë. Ndërkohë, përfaqësuesit e këshillave kombëtare kanë deklaruar se kanë bashkëpunim të mirë me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe se në këtë drejtim kanë mbështetjen e saj. “Bashkërisht kanë konstatuar se është i nevojshëm anulimi i konkursit për shpërndarjen e mjeteve të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave dhe Pakicave në Mal të Zi për financimin e projekteve për mbështetje të aktiviteteve për vitin 2023. Ata kanë shtuar se nevojitet pjesëmarrja e përfaqësuesve të tyre në Këshillin Administrativ të CEKUM-it (Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi), në Fondin për Mbrojtjen e Realizimin e të Drejtave të Pakicave, në ministrinë përkatëse si dhe në Komisionin për vlerësimin e projekteve të Fondit”, theksohet në këtë deklaratë. Ndërkaq, kreu i Qeverisë, Dr. Dritan Abazoviq ka konsideruar se mesazhi më i mirë dhe më efektiv është fakti që katër këshillat veprojnë bashkërisht, duke thënë se duhet punuar në ligjin mbi të drejtat dhe liritë e njeriut me të cilin do të definohej një model më i mirë i ndarjes së mjeteve. Ai ka theksuar se mbështet përpjekjet e tyre që mjetet e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të shpërndahen në mënyrë të barabartë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat