Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur” kërkon që në grupin e punës së Kuvendit të Malit të Zi, i cili do të merret me përmirësimin e legjislaturës zgjedhore dhe krijimin e besimit në procesin zgjedhor të jetë domosdoshmërisht edhe përfaqësuesi i partive politike shqiptare.
Në një kumtesë për opinion të këtij koalicioni thuhet se kryetarët e subjekteve politike që janë pjesë e koalicionit, kanë shqyrtuar punën e deritanishme në Kuvendin e Malit të Zi në lidhje me grupin e punës i cili do të punonte në përmirësimin e legjislaturës zgjedhore dhe krijimin e besimit në procesin zgjedhor si dhe ka analizuar qëndrimet e deritanishme të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.
“Çmojmë që vendimarrja konsensuale është thelbësore për ndërtimin e besimit ndërmjet palëve si dhe mënyra më demokratike që të mbështeten ndryshimet e ardhshme në legjislaturën zgjedhore. Partnerët e koalicionit – FORCA, UDSH dhe ASH vlerësojnë që për arsye të ndërtimit të besimit në këtë proces është e domosdoshme që përfaqësuesi i partive politike shqiptare të marrë pjesë në grupin punues”, thekson kumtesa të cilën e ka lëshuar deputeti i Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur”, Genci Nimanbegu, njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Në të nënvizohet se në vitin 2011 shqiptarëve iu është marrë një e drejtë e arritur, në formën e njësisë së posaçme zgjedhore, dhe që ky është shansi që mangësitë evidente të shfaqura në ligjin zgjedhor në dy zgjedhjet e fundit të përmirësohen.
“Aksioni afirmativ është shndërruar në të kundërtën e vet dhe ka paraqitur zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi”, thuhet më tej në kumtesë.
Sipas koalicionit “Shqiptarët të Vendosur”, duke qenë se fusha e ligjvënies që mund të përfshihet në punën e grupit të punës është e gjerë, është e domosdoshme që propozimeve që vijnë nga partitë parlamentare t’u sigurohet shqyrtim thelbësor në grupin e punës.
“Në grupin punues duhet të përfshihen të gjitha partitë politike parlamentare që shprehin interesim për këtë, d.m.th. të gjitha listat zgjedhore që në votimet e fundit kanë arritur statusin e subjektit parlamentar”, përfundon kumtesa. (Kohapress)
