Tuz – Institucioni Publik Parashkollor në Tuz “Gëzimi fëmijëror”, i cili funksiononte në kuadër të IPP “Gjina Vrbica” nga Podgorica, pritet të pavarësohet dhe të marrë emrin e humanistes globale, shenjtores Nënë Tereza.
Mbi ndryshimin e emrit të këtij institucioni publik, ishte deklaruar në muajin shtator ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, i cili njoftoi se ministri i Arsimit Miomir Vojinoviq, me iniciativën e Komunës së Tuzit, mori vendimin për pavarësimin e Kopshtit në Tuz.
Ndryshimi i emrit të këtij institucioni publik, ditëve të fundit ka ngjallur reagime të ndryshme.
Mbi këtë çështje janë deklaruar nga Partia Demokratike e Socialistëve në Tuz, të cilët në një kumtesë ndër të tjera kanë kërkuar nga Qeveria që Kopshtit në Tuz t’ia kthejnë emrin që ka pasur dhe siç është quajtur më parë “Gëzimi fëmijëror”, para emërtimit të tij në “Nënë Tereza”.
Ndërkaq, në një prononcim të mëparshëm për media, kreu i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, ka thënë se emërtimi i kopshtit apo i cilitdo institucion publik, shesh apo rrugicë, nuk ka lidhje me përkatësinë e saj konfesionale, por me atë humane.
Ndërkaq, këshilltari i Partisë Boshnjake në Kuvedin e Komunës së Tuzit, Adnan Pepiq, ndër të tjera ka theksuar se ai personalisht ka respekt të madh për Nënë Terezën, sepse siç ka thënë, ajo ka bërë shumë të mira në botë. Ai më tutje në prononcimin e tij ka thënë se ajo i përket kishës dhe atë e ka përfaqësuar, dhe se për shkak të këtij fakti emri i saj për institucionin publik parashkollor nuk është propozimi më i mirë.
Gjithashtu, këshilltari i Socialdemokratëve në Kuvendin e Komunës së Tuzit, Samir Axhoviq, në lidhje me këtë çështje ka dhënë disa shpjegime se pse nuk ka qenë e nevojshme që ky institucion të mbaj emrin e shenjtores Nënë Tereza.
Sakaq, Shtjefën Camaj këshilltar i Demokratëve, ka konsideruar se emri i Nënë Terezes si shqiptare, nuk është pengesë askund në botë, e aq më pak në Tuz, duke shtuar se emri dhe vepra e saj janë sinonim në botë për bamirësi dhe humanizëm.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj në një deklaratë të mëparshme ka theksuar ndër të tjera se emrin e Nënë Terezës e kanë propozuar në mënyrë që të promovohet humanizmi qe në vegjëli, dhe se për këtë arsye ky kopsht do të duhej ta mbante atë emër.
Kujtojmë se Njësia Edukative “Gëzimi Fëmijëror” në Tuz me një sipërfaqe prej 1 mijë e 400 metrash katrorë, me një kapacitet infrastrukturor për mbi 200 fëmijë, është hapur zyrtarisht më 13 shtator të vitit 2019.
Në hapjen solemne të këtij objekti me vlerë për trevën e Malësisë, të pranishëm qenë ministri i atëhershëm i Arsimit, z. Damir Shehoviq dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, kryetari i Komunës dhe i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj dhe Fadil Kajoshaj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, mësues, prindër dhe mysafirë të tjerë.
t. u.
