Partitë proserbe në Malin e Zi, pjesë e koalicionit qeverisës, e kanë cilësuar “historik” takimin me përfaqësuesit e Forumit Shqiptar, koalicionit më të madh shqiptar, që po ashtu është pjesë e qeverisjes në nivelin shtetëror.
Në takimin e zhvilluar të enjten (24 korrik 2025) kanë marrë pjesë kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, njëherazi nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi për politikë ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, nga Lidhja Demokratike Shqiptare, ndërsa nga partitë proserbe kryetari i Demokracisë së Re Serbe dhe i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviq, dhe kryetari i Partisë Popullore Socialiste, Vlladimir Jokoviq.
Në deklaratën për shtyp të Demokracisë së Re Serbe thuhet se “duke u nisur nga fakti se ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për disa probleme rajonale, u theksua se angazhimi i përbashkët strategjik i politikës së jashtme për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet i padiskutueshëm, gjë që sigurisht është një avantazh i madh i rajonit në tërësi”.
Duke e cilësuar takimin si “historik”, në deklaratën për shtyp theksohet se në takim është shprehur gatishmëria për një dialog të hapur dhe konstruktiv, së bashku me një angazhim të përbashkët për rrugën evropiane të Malit të Zi, si një qëllim kyç që bashkon të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia kombëtare ose politike.
“Pjesëmarrësit theksuan se serbët dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë një traditë të gjatë të bashkëjetesës paqësore, respektit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Edhe në kohët më të vështira, serbët dhe shqiptarët nuk u konfrontuan në Mal të Zi, por ruajtën komunikimin dhe dialogun, duke treguar ndjeshmëri dhe tolerancë që duhet të jetë një model për të gjithë popujt në rajon”, thuhet në deklaratën për shtyp të Demokracisë së Re Serbe.
Takimi ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik shqiptar dhe nga partitë tjera politike shqiptare, të cilat kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të ftuara e as të informuara lidhur me këtë takim, kurse nga Forumi Shqiptar deri tani nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë lidhur me qëllimin e këtij takimi!
Madje edhe nga Unioni Nacional Shqiptar, që është pjesë e Forumit Shqiptar, kanë thënë se nuk kanë qenë të informuar lidhur me këtë takim.
“Për takimin kam mësuar nga mediat. Nuk e di se për çfarë kanë biseduar zotërinjtë Mandiq, Knezheviq dhe Jokoviq me zotërinjtë Gjeloshaj dhe Camaj, por e di që askush nuk kishte mandat të fliste në emër të Forumit Shqiptar, pjesë e të cilit është UNSH. Gjithashtu e di që ai takim nuk mund të përfaqësojë një ‘takim historik të partive serbe dhe shqiptare’, sepse nga partitë shqiptare, vetëm kryetari i Alternativës Shqiptare ka marrë pjesë në të”, ka thënë Dinosha.
Ai ka theksuar se mbetet të shihet cili ishte qëllimi i këtij takimi, duke shtuar se ai vetë nuk do të nxitohej të takonte politikanë, agjenda e të cilëve është jashtëzakonisht problematike.
Në këtë kontekst, Dinosha ka përkujtuar se ata (politikanët proserbë) do të donin ta rregullonin Malin e Zi ndryshe, nga “Bota serbe” nuk e shohin shtetin e Kosovës, nuk e njohin gjenocidin në Srebrenicë…
“Me ta jemi në të njëjtën qeveri, por qeveria nuk mendon si ata dhe ne do të mbetemi në të me qëllim forcimin e anëtarësimit të besueshëm të Malit të Zi në NATO dhe anëtarësimin e tij në BE”, ka deklaruar ai.
(Kohapress)
