Shoqatat shqiptaro-amerikane që tubojnë diasporën shqiptare nga Mali i Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se ndryshimet e propozuara nga Qeveria e Malit të Zi të Ligjit për nënshtetësinë dhe lejeqëndrimit janë penalizues për diasporën dhe nëse miratohen, “pa dyshim që do të shtypin edhe më tej zërin dhe përfaqësimin e shqiptarëve dhe grupeve të tjera të pakicave në Malin e Zi”.
Në një deklaratë të përbashkët drejtuar Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, kryeministrit Zdravko Krivokapiq, zëvendëkryeministrit Dritan Abazoviq, ministrit të Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq, dhe ministrit të Brendshëm Sergej Sekulloviq, organizatat shqiptaro-amerikane vlerësojnë se megjithëse mund të tingëllojë si një ndryshim pozitiv, ligji do të kishte pasoja të dëmshme për votuesit e regjistruar.
“Së pari, ligji i ri do të ndryshonte demografinë e vendit; së dyti, do të përkeqësonte tensionet ndëretnike që mund të çojnë në një konflikt përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor”, theksohet në deklaratë.
Në reagimin e tyre, shoqatat shqiptaro-amerikane nënvizojnë se Ligji për regjistrimin e personave me vendbanim të përhershëm dhe të përkohshëm synon së pari çregjistrimin dhe më pas riregjistrimin e banorëve të përhershëm.
“Ky ligj do të shërbente jo thjesht për të pastruar listën e votuesve, por do të penalizonte me qëllim diasporën shqiptare dhe pakicat e tjera që punojnë përkohësisht jashtë vendit e që do të kenë vështirësi të riregjistrohen brenda një viti, duke humbur kështu shtetësinë e tyre malazeze dhe të drejtën e votës”, thuhet në deklaratë.
Sipas këtyre organizatave, “ndryshimet e propozuara në Ligjin për shtetësinë do të zbehin sistematikisht numrat e pakicave; do t’i detyrojë shqiptarët dhe grupet e tjera të pakicave të asimilohen, duke humbur identitetin e tyre etnik; dhe do t’i detyrojë ata të largohen nga atdheu i tyre për shkak të mungesës së mundësive dhe prosperitetit”.
Ato i kanë bërë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të tërheqë ndryshimet e propozuara të ligjit, “të cilat janë maskuar si progresive, por në fakt janë konceptuar keq dhe synojnë të mbështesin qeverinë aktuale në kurriz të shqiptarëve dhe pakicave të tjera”.
“Nuk është asgjë tjetër veçse një akt diskriminimi në maskim që mund të destabilizojë vendin dhe të shkaktojë dëm të konsiderueshëm në ekonominë tashmë të dobët dhe klimën e brishtë politike në Malin e Zi dhe rajonin”, thekson deklarata.
Në të njëjtën kohë, shoqatat shqiptaro-amerikane i kanë bërë thirrje edhe SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare që “të bëhen të vetëdijshme për këto veprime anti-demokratike të propozuara nga qeveria aktuale e Malit të Zi dhe të kërkojnë që qeveria malazeze të pushojë dhe të heqë dorë menjëherë”.
Deklarata është firmosur nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, anëtari i Këshillit Bashkiat në Uestçester të Nju Jorkut, Vedat Gashi, Albanian American Community Association, Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ulqini”, Shoqata “Don Gjon Buzuku” – Çikago, Shoqata “Don Gjon Buzuku” – Nju Jork, Federata Panshqiptare “Vatra”, Fondacioni “Don Simon Filipaj”, Fondacioni “Hoti i Kujit”, Fondacioni “Plavë-Guci”, Fondi Humanitar “Trieshi”, Shoqata “Ana e Malit”, Shoqata Atdhetare “Kraja”, Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” – Miçigan, Shoqata “Malësia e Madhe” – Nju Jork dhe Shoqata “Koja”.
(Kohapress)
