Partitë shqiptare pësojnë fiasko

Për herë të parë në historinë e shumëpartiakësisë në Mal të Zi, partitë shqiptare nuk do të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Komunës së Tivarit.
Kjo pasi që Koalicioni “Shqiptarët për Tivarin”, i përbërë nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Partia Demokratike, e vetmja listë zgjedhore shqiptare në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në Komunën e Tivarit, kanë fituar vetëm 163 vota apo 0.8 për qind, duke mos fituar asnjë këshilltar.
Numrin më të madh të votave, gjegjësisht të këshilltarëve, e ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve – 7218 vota apo 15 mandate këshilltarësh. Pas saj renditen Socialdemokratët e Malit të Zi me 3824 vota apo 7 këshilltarë, Radomir Novakoviq – Cakan me 2580 vota apo 5 këshilltarë, koalicioni “Tivari për shekullin e 21-të” (Demokratët – URA) me 2401 vota apo katër këshilltarë, Partia Socialdemokrate 1432 vota apo dy këshilltarë, koalicioni Fronti Demokratik dhe Partia Popullore e Socialistëve 1 133 vota apo dy këshilltarë, Partia Boshnjake 814 vota apo një këshilltar dhe Mali i Zi i Drejtë 662 vota apo një këshilltar.
Këto tetë subjekte do të përfaqësohen në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës së Tivarit, i cili përbëhet nga 37 këshilltarë.
Ndërkaq, përpos koalicionit “Shqiptarët për Tivarin”, nuk kanë siguruar asnjë mandat këshilltari edhe Demos, i cili ka fituar 246 vota dhe lista “Reforma për Tivar” e cila ka fituar 194 vota.
Rritjen më të madhe e kanë pësuar PDS-ja, Socialdemokratët dhe Radomir Novakoviq – Cakan. PDS ka arritur të fitojë 15 këshilltarë në këto zgjedhje, apo dy më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2014, kur kishte fituar 13 këshilltarë.
Edhe Socialdemokratët kanë pësuar rritje të ndjeshme duke fituar shtatë këshilltarë. Në vitin 2014, PSD e bashkuar ka fituar tetë këshilltarë.
Ndërsa rritje të madhe ka pasur lista Radomir Novakoviq – Cakan, duke fituar pesë këshilltarë, nga dy këshilltarë sa kishte fituar në vitin 2014 si pjesë e Malit të Zi Pozitiv.
Rënie të madhe kanë pësuar Fronti Demokratik dhe PPS, të cilët së bashku kanë fituar dy këshilltarë. Në vitin 2014, Fronti Demokratik kishte fituar nëntë këshilltarë, kurse PPS tre këshilltarë.
Në zgjedhje kanë marrë pjesë 27 162 votues apo 55.35 për qind nga 38 235 votues sa ka qenë numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Censusi për të fituar mandatin e këshilltarit ka qenë 627 vota.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat