Partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi kanë dalë hapur në mbështetje të kandidatit për president nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, njëherazi kryetar i kësaj partie, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 15 prill.
Partitë parlamentare që përbëjnë koalicionin “Shqiptarët të bashkuar”, Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës në nivelin shtetëror, si dhe Partia Demokratike janë shprehur të bindur se Gjukanoviqi është kandidati më i mirë për shqiptarët në Malin e Zi dhe garanci për stabilitetin e Malit të Zi.
Pothuajse të gjitha partitë kanë potencuar proceset e integrimeve euro-atlantike si arsyen kryesore për të votuar Gjukanoviqin.
Sondazhet e rendisin favorit kandidatin për president të PDS-së, Millo Gjukanoviq, të cilit i interesojnë votat e partive të pakicave me qëllim që të arrijë fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve.
Kandidati më serioz që pritet ta sfidojë Gjukanoviqin është Mlladen Bojaniq, i cili mbështetet nga pjesa më e madhe e partive të opozitës, përfshirë Frontin Demokratik, Demokratët e Malit të Zi, Partinë Popullore Socialiste dhe Lëvizjen Qytetare URA.
Ndonëse nuk theksohet hapur, mbështetja për Gjukanoviqin nga katër partitë shqiptare lidhet edhe me formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës në Komunën e Ulqinit, që pritet të formohet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht se zgjedhjet lokale janë zhvilluar më 4 shkurt dhe tashmë është bërë konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Ndërkaq partitë tjera shqiptare nuk janë deklaruar nëse do të mbështesin ndonjërin prej kandidatëve.
Në zgjedhjet presidenciale do të garojnë shtatë kandidatë. Përpos Gjukanoviqit dhe Bojaniqit, kandidatë për Presidentë të Malit të Zi janë edhe kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Hazbija Kalaç, kandidati i pavarur Vasilije Millaçiq, kryetari i partisë Mali i Zi i Drejtë, Marko Millaçiq, kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq, e cila ka mbështetjen edhe të partisë DEMOS, dhe kryetari i Koalicionit Serb, Dobrillo Dedeiq.
Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, në vitin 1990. Kryetar i Malit të Zi nga viti 2003 është Filip Vujanoviq, i cili këtë funksion e ka ushtruar për tre mandate radhazi.(Kohapress)
