Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë për Malin e Zi, ku ndër të tjera theksohet se “tensionet e larta politike dhe polarizimi kanë sjellë ngecjen e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian”.
Për dokumentin votuan 529 deputetë, kundër ishin 51, ndërsa 53 të tjerët abstenuan.
Deputeti i parlamentit evropian dhe raportuesi për Malin e Zi, Tonino Picula dhe deputeti socialist Pedro Marques, paraqitën gjithashtu amendamente në raport, ku theksohet që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, i paraparë të mbahet prej 1- 15 nëntor, të shtyhet dhe të bëhet në përputhje me standardet e BE-së dhe vetëm pasi të përfundojë ngërçi politik në vend.
“Mali i Zi është i ftuar të kryejë regjistrimin e vonuar të popullsisë dhe banesave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së dhe sapo të kalojë ngërçi politik në vend, në mënyrë që kjo çështje e rëndësishme të mos përdoret si një justifikim tjetër për të forcuar polarizimin e shoqërisë”, thuhet në amendamentin e miratuar.
Në Rezolutë, vlerësohet se “dështimi për të ndërtuar një konsensus për çështjet me interes kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak është arsyeja pse progresi në reformat në lidhje me BE-në është vonuar dhe e shtyn Malin e Zi në një situatë të thellë politike dhe krizë institucionale”.
Me këtë rezolutë, deputetët e Parlamentit Evropian theksojnë nevojën urgjente për qëndrueshmëri politike dhe përparim thelbësor në reformat kryesore që lidhen me BE-në, veçanërisht në reformat zgjedhore dhe gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shqetësimi është shprehur edhe për polarizimin e thellë politik në mjedisin mediatik malazez dhe mungesën e pavarësisë së transmetuesit publik.
A.S.