Buxheti shtetëror i Malit të Zi për vitin 2026, i miratuar në fund të vitit 2025 dhe i projektuar në shumën 3.78 miliardë euro, sjell mbështetje konkrete për çështjet identitare dhe kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi.
Lidhur me këtë buxhet, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, në prononcimin për gazetën “Koha javore” vlerëson se miratimi i buxhetit krijon pritje pozitive për realizimin e projekteve me rëndësi për komunitetin shqiptar, veçanërisht në fushën e kulturës, mediave dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar, duke pasur parasysh se realizimi i mjeteve buxhetore në praktikë shpeshherë mund të vonohet për shkaqe teknike dhe të procedurës.
Ai thekson se përkrahja për themelimin e Institutit Albanologjik, mbështetja për gazetën “Koha javore” dhe mediat në gjuhën shqipe, janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm institucional.
Sipas tij, ajo që ka qenë kryesore dhe që e ka preokupuar është shuma e dedikuar për viset dhe çështjet shqiptare.
“Kur flasim për viset, flas për punimet e ndryshme me karakter publik – rrugët, asfaltimet etj., të cilat personalisht ua lë më tepër si obligim komunave, por dua të veçoj se për to, vetëm për komunën e Tuzit, siguruam 1.400.000 euro”, thekson ai, duke shtuar se është më i preokupuar që të ndihmojë, qoftë edhe me shuma më të vogla, çështjet e karakterit identitar dhe kulturor.
Në këtë drejtim, Camaj rikujton se edhe në vitin e kaluar ka siguruar mjete për media dhe trashëgimi kulturore.
“Për vitin që lamë pas, patëm siguruar 50.000 euro për gazetën ‘Koha javore’ dhe 150.000 euro për objektin e ruajtjes së të mirave kulturore, që është në ndërtim e sipër, në kuadër të Qendrës Katolike në Tuz”, shprehet ai.
Camaj thekson se për këto kërkesa ka pasur mirëkuptim dhe përkrahje nga përfaqësuesit parlamentarë, nga Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, pa pasur nevojë për amendamente formale, por vetëm përmes marrëveshjeve, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar.
Një vëmendje të veçantë Camaj i kushton ndarjes së mjeteve për themelimin e Institutit Albanologjik në Mal të Zi.
Edhe pse sipas tij, shuma nuk është e madhe, ai thekson rëndësinë simbolike dhe institucionale të këtij projekti.
“Këtu do të veçoja ndarjen e mjeteve për themelimin e Institutit Albanologjik, që ndoshta si shumë nuk paraqet ndonjë sasi të madhe, por përkrahja për idenë e themelimit të këtij instituti, për të cilin do të angazhohem maksimalisht gjatë këtij viti, për mua pati shumë rëndësi”, shprehet Camaj.
Camaj argumenton se institute të tilla ekzistojnë edhe në qytete si Beogradi dhe Moska, ndonëse atje numri i shqiptarëve është shumë i vogël.
“Pikërisht me këtë argument e arsyetova këtë ide edhe para kolegëve dhe deputetëve të përkatësive të tjera nacionale, duke potencuar faktin se realizimi i këtij institucioni paraqet vlerë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë shtetin e Malit të Zi”, thotë Camaj.
Ai potencon se përkrahja për këtë nismë nuk ka munguar as nga deputetët e tjerë shqiptarë.
Ndërkaq, duke u ndalur tek angazhimi i tij për të siguruar mjete financiare për gazetën e vetme në gjuhën shqipe në Malin e Zi, “Koha javore”, Camaj sqaron se bëhet fjalë për përsëritje të shumës nga viti i kaluar dhe shprehet se është befasuar kur ka parë se kjo shumë nuk ishte e paraparë në buxhetin bazë, duke mbetur në nivelin e mëparshëm.
Ai thekson se kërkesa e parashtruar është përkrahur nga përfaqësuesit parlamentarë dhe shpreson se, për vitin e ardhshëm, “Koha javore” apo Këshilli Kombëtar t’i drejtohen Ministrisë së Financave dhe Parlamentit të Malit të Zi me kërkesën që buxheti bazë për këtë gazetë të jetë së paku në nivelin e arritur me këtë donacion.
Përpos këtyre, në buxhetin aktual janë siguruar edhe 50.000 euro për televizionin në gjuhën shqipe, që sipas Camajt do të marrë përsipër të përcjellë veprimtarinë e Kuvendit dhe ministrive për zonat ku shikohet televizioni shqip, veçanërisht për kulturën, arsimin dhe bujqësinë.
Në përmbyllje, Camaj vlerëson se këto angazhime dhe rezultate janë në përputhje me prioritetet politike dhe përbëjnë një kontribut konstruktiv për avancimin e çështjeve identitare, kulturore dhe mediatike të shqiptarëve në Mal të Zi, që siç tha ai, ishte prioritet me dekada të tëra.
Ai shpreh bindjen se këto projekte do të realizohen në kohën e duhur dhe do të shërbejnë si bazë e mirë për të ardhmen e shqiptarëve në Malin e Zi.
“Besoj se për ata që e kujtojnë angazhimin tim në themelimin e mediave shqipe në vitet 1998-2002, kjo veprimtari nuk paraqet risi”, përfundon Camaj.
t. u.
