Parapërgatitje për vizitën e kryeministrit Dushko Markoviq në Kosovë

Podgoricë/Ulqin – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar të premten në Podgoricë, ku është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq.
Në një postim në Twitter, Hoxhaj ka shkruar se në takim kanë biseduar për zhvillimet në rajon dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Një takim i shkëlqyer në Podgoricë sot me Ministrin e Punëve të Jashtme, Darmanoviq, ku diskutuam për zhvillimet në rajon dhe agjendën europiane për Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Mali i Zi do ta forcojnë bashkëpunimin në vitin 2018”, ka shkruar Hoxhaj.
Vizita e Hoxhajt në Podgoricë vjen dhjetë ditë para se kryeministri malazez, Dushko Markoviq, ta vizitojë Kosovën, vizitë që është planifikuar të zhvillohet më 6 shkurt.
Hoxhaj nuk ka përmendur nëse në takim me ministrin Darmanoviq është prekur edhe çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka hedhur për votim marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015, ndërsa Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar atë.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi nuk ka dhënë asnjë njoftim për këtë takim.
Gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka vizituar Komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Nazif Cungu, ka bërë përurimin e librit të tij “Ngritja e një shteti”, ka vizituar Qytetin e Vjetër të Shasit si dhe ka marrë pjesë në përurimin e pikëvrojtimit në Shtegvashë të Anës së Malit.(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat