Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten marrëveshjen për partneritet dhe marrëveshjen për bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar “IPA II 2014-2020”, në bazë të të cilit komunave që ndodhen në zonën kufitare do t’u ndahen mjete në vlerë prej 8.4 milionë euro.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga ministri i Malit të Zi për Çështje Evropiane, Aleksandar Andrija Pejoviq, dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Podgoricë, Skender Durmishi.
Sipas tyre, fondet e akorduara do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunave që janë në zonën kufitare, si dhe shfrytëzim më të mirë të burimeve të tyre natyrore.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë për Çështje Evropiane thuhet se ministri Pejoviq ka theksuar se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve paraqet vazhdimin e bashkëpunimit të mirë që e kanë filluar institucionet e Malit të Zi dhe Kosovës që në vitin 2010, në kuadër të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se Thirrja e parë e Programit IPA Mali i Zi – Kosovë 2011-2013 ka treguar interesim të madh të shfrytëzuesve në të dy anët e kufirit, në kuadër të të cilit janë financuar nëntë projekte me vlerë prej 3.7 milionë euro.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Kosovës, Skender Durmishi, ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjeve dhe ka thënë se ato do të kenë rëndësi të madhe për jetën e përditshme të banorëve në zonat kufitare dhe se do të afirmojnë më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Ai ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme do të pasojë nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh dypalëshe që do të avancojnë bashkëpunimin në fushat e zhvillimit ekonomik, kulturor etj. (Kohapress)