Ulqin – Ambasadori i Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Serhat Galip, këshilltarja për ekonomi pranë kësaj ambasade, Fatma Derja Koç, dhe koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (TIKA), Ahmet Altun, kanë vizituar të premten komunën e Ulqinit.
Ata janë pritur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, kryetari i Kuvendit të Komunës Loro Nrekiqi dhe nënkryetarja e Komunës, Hadixha Gjoni.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se kryetari Cungu në fillim të takimit bëri një përmbledhje të aktiviteteve të bashkëpunimit të suksesshëm të Komunës së Ulqinit me Ambasadën Turke dhe TIKA-n, duke shprehur bindjen se ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ambasadori i Turqisë, Serhat Galip, i njoftoi të pranishmit për investitorët të cilët i janë drejtuar kësaj ambasade duke kërkuar asistencë për zgjerimin e bizneseve të tyre edhe në Mal të Zi.
“Kemi të interesuar për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e frutave dhe perimeve, si dhe për ndërtimin e aeroportit dhe marinës“, ka thënë ai.
Koordinatori i TIKA-s Ahmet Altun ka thënë se kjo agjenci do të investojë rreth dy milionë euro në restaurimin e Hamamit të Pashës dhe Xhamisë së Mezgjahut, dhe më pas do të fillojë rinovimi i ndërtesës së ish-komunës – Beledijes.
Kryetari Cungu konfirmoi gatishmërinë e Komunës së Ulqinit për të reaguar shpejt në përgjigje të kërkesave të investitorëve.
Me përfaqësuesit e TIKA-s është rënë dakord që të financohet blerja e pompës centrifugale për ujësjellës me vlerë 20 mijë euro, si dhe që të sanohet pullazi i ndërtësës së Komunës me vlerë rreth 40 mijë euro.
(Kohapress)