Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Planin Hapësinor Urbanistik të Komunës së Ulqinit në mbledhjen e mbajtur të enjten.
Në deklaratën për shtyp të Qeverisë së Malit të Zi thuhet se me PHU janë përcaktuar objektivat dhe masat e zhvillimit hapësinor dhe urbanistik të Ulqinit, në përputhje me zhvillimin e planifikuar ekonomik, social, ekologjik dhe kulturor-historik.
Përpara dërgimit për miratim në Qeveri, Plani Hapësinor Urbanistik, i përgatitur nga Qendra për Arkitekturë dhe Urbanizëm në Podgoricë, është miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit në seancën e fundit të vitit të kaluar.
Ndonëse hartimi i PHU-së është kompetencë e qeverisjes vendore, me një vendim të vitit 2009 Komuna e Ulqinit ia delegoi këtë kompetencë Qeverisë së Malit të Zi, gjegjësisht Ministrisë për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Turizmit.
Miratimi i këtij plani krijon kushtet për hartimin dhe miratimin e planeve të detajuara urbanistike për territorin e Komunës së Ulqinit.
Nga Komuna e Ulqinit kanë vlerësuar se miratimi i këtij plani është me interes të shumëfishtë për zhvillimin e ardhshëm të kësaj komune dhe shërben për mbrojtjen e territoreve të veçanta të saj.
Sipas saj, PHU-ja parasheh mbrojtje të veçantë të Ullishtës në Valdanos, ku në tërësi ndalohet çdo lloj ndërtimi, revitalizimin dhe valorizimin e këtij lokaliteti për aktivitete sportive dhe rekreacion, me ç’gjë është bërë një hap para në procesin e kthimit të Ullishtës në Valdanos.
Po ashtu trajtim i veçantë është planifikuar për Kriporen, në të cilën po ashtu ndalohet ndërtimi i objekteve turistike dhe apartamenteve, si dhe krijohen kushtet për revitalizimin, prodhimin e kripës dhe valorizimin e këtij territori si zonë rekreative për këmbësorë dhe zhvillimin e turizmit ornitologjik.
Përvec kësaj, PHU parasheh mbrojtjen e Kripores si park dhe përmendore natyrore, si dhe renditjen e saj në zonat e mbrojtura RAMSAR, me ç’gjë janë arritur qëllimet e përbashkëta të Komunës së Ulqinit, bashkësisë ndërkombëtare dhe sektorit joqeveritar për mbrojtjen e Kripores.
Me PHU-në është planifikuar ndërtimi i rrugës me katër korsi në Shtoj dhe ura mbi lumin Buna, e cila që do të lidhë Malin e Zi me Republikën e Shqipërisë dhe do të mundësojë valorizimin e Ulqinit si destinacion i turizmit elitar duke pasur parasysh që në Plazhin e Madh parashihet ndërtimi i komplekseve turistike të kategorive të larta. (Kohapress)