Tuz – Organizata Komunale “Kryqi i Kuq”- Tuz për të dytin vit me radhë organizoi trajnimin e ndihmës së parë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Tuzit.
Fitues të këtyre garave u shpallën grupi i fillestarëve nga Shkolla Fillore “29 Nëntori” në Dinoshë dhe grupi i të rinjve nga Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” në Tuz.
Lidhur me garat shtetërore që “Kryqi i Kuq” i Malit të Zi i organizoi këtë viti në Tivat për të dyzezetetën herë me radhë, drejtori i Organizatës Komunale “Kryqi i Kuq”- Tuz, David Junçaj për gazetën “Koha Javore” shprehet se në këto gara ishte edhe Organizata Komunale “Kryqi i Kuq”- Tuz me dy grupe.
“Për të gjitha grupet ishin përgatitur tetë disiplina në të cilat nxënësit takoheshin me raste të ndryshme siç është: tërmeti, zjarri, aksidenti, etj, ku nxënësit tonë treguan një performancë të shkëlqyer duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm, që rezultoi me dy vendet e para dhe kështu fituan trofetë të cilët i sollën në komunën tonë”, u shpreh drejtori i Organizatës Komunale “Kryqi i Kuq”- Tuz, David Junçaj.
Ai u zotua se Organizata Komunale “Kryqi i Kuq”- Tuz do të vazhdojë edhe në të ardhmen me trajnimin e ndihmës së parë, si dhe me aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me humanizmin.
Në këto gara shtetërore kanë marrë pjesë edhe nxënës nga Tivari, Cetina, Budva, Danillovgradi, Herceg Novi, Kollashini, Plava dhe një grup nga Serbia (Subotica).
Trajnimet për ndihmën e parë zgjasin dy muaj dhe realizohen në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Tuzit.
t. u.