Ulqin – Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Genci Nimanbegu, ka protestuar ndaj gjuhës së urrejtjes që përdoret ndaj shqiptarëve në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë të Malit të Zi në Podgoricë, në bazë të aktpadisë për tentim të grusht shtetit me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, më 16 tetor 2016.
Në letrën e protestës dërguar kryetarit të Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Boris Saviq, deputeti Nimanbegu kërkon ndalimin e përdorimit të fjalëve fyese “shiptar, shiptarsko” etj., sepse në këtë mënyrë ofendohet një popull, që me këtë proces nuk ka asgjë të përbashkët.
“Gjatë tërë procesit që po zhvillohet pranë Gjykatës së Lartë në Podgoricë, sipas Aktpadisë për tentim të grusht shtetit në Mal të Zi, më 16 tetor 2016, pjesëtarët e të gjitha palëve në proces: të akuzuarit, dëshmitarët, por edhe avokatët, madje edhe gjykatësja S. Mugosha i përdorin fjalët ‘shiptar, shiptarsko…’”, thuhet në letrën dërguar Gjykatës së Lartë.
Deputeti i Koalicionit “Shqiptarët e vendosur” i përkujton kryetarit të Gjykatës së Lartë, Boris Saviq, se fjalët “shiptar, shiptarsko” janë ofenduese dhe nënçmuese për shqiptarët, ndërkohë që “gjykata me vetë qenien dhe aktivitetet e veta do të duhej ta mbronte dinjitetin e të gjithëve dhe të mos lejojë përdorimin e fjalëve, që në çfarëdo mënyre do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi”.
Nimanbegu ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviq, që letrën e tij të protestës t’ia përcjelli gjykatëses së procesit gjyqësor, Suzana Mugosha, e cila sipas tij, jo vetëm që e lejon përdorimin e fjalëve “shiptar, shiptarsko”, por ato edhe i dikton në procesverbal. (Kohapress)