Numër rekord i të infektuarve, rritet numri i viktimave

Ulqin – Ulqini po përballet me valën e re të COVID-19 duke shënuar numrin më të madh të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë. Prej disa ditësh Ulqini është në vendin e dytë, menjëherë pas Podgoricës, për nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, kurse në nivel të Malit të Zi ka shkallën më të lartë të të infektuarve në raport me numrin e banorëve, që ka arritur në rreth 3000 të infektuar në 100 mijë banorë në dy javët e fundit. Krahas rritjes së numrit të të infektuarve, ka pasur edhe disa viktima.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj, ka thënë se çdo ditë në këtë institucion kryhen rreth 400 teste për COVID-19.
Përkundër vaksinimit të një pjese të popullatës, mosrespektimi i masave, dasmat dhe festat e ndryshme familjare, numri i madh i turistëve, përhapja e variantit Delta të virusit që transmetohet më lehtë etj. kanë ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve.
Situatë e rënduar epidemiologjike është në tërë Malin e Zi. Kjo ka bërë që Instituti i Shëndetit Publik të propozojë vendosjen e masave kufizuese të reja epidemiologjike, që kanë hyrë në fuqi të martën.
Sipas ISHP-së, për të hyrë në Malin e Zi një personi i kërkohet që të ketë një nga katër dëshmitë: vaksinimin me një ose të dyja dozat, një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se e ka kaluar COVID-19 ose një test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë. Në të kundërt, ai dërgohet në izolim katërmbëdhjetë ditor, që mund të përfundojë pas ditës së gjashtë të hyrjes në Mal të Zi përmes një testi PCR negativ. Përjashtim nga këto masa kufizuese bëjnë vendet e rajonit, me të cilët kufizohet Mali i Zi. Kështu hyrja e pakushtëzuar vlen për banorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe për qytetarët malazezë që udhëtojnë nga këto vende.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat