Nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit

Podgoricë – Në mbledhjen konstitutive të legjislaturës së re të Kuvendit të Malit të Zi, e cila është mbajtur të enjten (27 korrik 2023) është bërë verifikimi i mandateve të deputetëve, por nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit.
Kryesuesi i mbledhjes konstitutive, deputeti më i vjetër dhe kryetari i DEMOS-it Miodrag Lekiq ka sqaruar se shërbimit të Kuvendit nuk i është dorëzuar asnjë propozim për kandidat për kryetar të Kuvendit të Malit të Zi. Prandaj pas verifikimit të mandateve të deputetëve, ai e ka ndërprerë mbledhjen, duke mos bërë të ditur se kur do të vazhdojë ajo.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor 2023, Lëvizja Evropa Tani ka fituar 24 deputetë, koalicioni “Bashkë” i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale 21 deputetë, koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” i përbërë nga Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Demokratike dhe Partia Punëtore 13 deputetë, koalicioni Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA 11 deputetë, Partia Boshnjake 6 deputetë, koalicioni Partia Popullore Socialiste dhe DEMOS dy deputetë, koalicioni Forumi Shqiptar, i përbërë nga Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar dy deputetë, dhe nga një deputet koalicioni Aleanca Shqiptare, i përbërë nga Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe grupi qytetar “Lëvizja për Tuzin”, si dhe Iniciativa Demokratike Kroate. Në legjislaturën e re, nga 81 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi, gjashtë janë shqiptarë – Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar, Genci Nimanbegu nga Aleanca Shqiptare, Drita Llolla nga PDS, Mehmet Zenka nga UDSH dhe Dr. Dritan Abazoviq nga Lëvizja Qytetare URA.
Bisedimet për formimin e shumicës qeverisëse kanë filluar dhe kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, i cili pritet të jetë mandator për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, ka bërë të ditura parimet qeverisëse dhe ka zhvilluar bisedime me forcat politike që mund të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ndërkaq Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka filluar të hënën konsultimet me të gjitha forcat politike parlamentare, pas të cilave do të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat