Nuk u miratuan propozim vendimet e Komunës për shitjen e pjesëve të parcelave të patundshme kadastrale

Guci – Seanca e dytë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2023, e mbajtur në sallën e Komunës për seanca, takime dhe tubime, për trajtim dhe shqyrtim pati tri pika të rendit të ditës.
Seancën në dy gjuhët (shqip dhe malazezisht) e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, i cili para fillimit të punës së saj parashtroi për miratim procesverbalin nga seanca e parë rregullt, e mbajtur më 13 prill 2023, të cilin pa ndonjë vërejtje e miratuan njëzëri me aklamacion të hapur.
Edhe rendi i ditës prej tri pikave të propozuara nga kryetari i KK-së, po ashtu u miratua njëzëri pa plotësime dhe ndryshime nga këshilltarët e pranishëm.
Puna e seancës së dytë të rregullt, e cila zgjati rreth gjysmë ore (e dy pikave të para të saj, prej gjithsej tri sosh), ishte përqendruar në trajtimin dhe shqyrtimin e propozim vendimeve të iniciuara nga Sekretariati për planifikim hapësinor, pronë dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, për shitjen e pjesëve të patundshme të parcelave kadastrale të regjistruara në Komunën kadastrale të Gucisë, të cilat në sipërfaqe të caktuara ilegalisht shfrytëzohen nga vëllezërit Ramë dhe Sherif Ulaj nga fshati Vuthaj i kësaj komune, në të cilat kanë ndërtuar objekte familjare banimi pa leje ndërtimi, Komuna e Gucisë (sekretariati gjegjës) në ndërkohë ka pranuar kërkesat nr.007-2513 dhe 007-2514 nga vëllezërit Ulaj për blerjen e patundshmërisë (tokës) në të cilën janë ndërtuar objektet e tyre banesore dhe për të cilat në të njëjtën kohe kanë paraqitur edhe kërkesën për legalizimin e objekteve në fjalë. Në vendimet për shitjen e pjesëve të parcelave kadastrale të sipërpërmendura, janë caktuar nga organi kompetent për shit-blerje, të cilat janë vërtetë të larta dhe të pakapshme e përballueshme për blerje (27.200 euro për Ramën dhe 30.102 euro për Sherifin).
Përkitazi me dy propozim vendimet në fjalë të pikave 1 dhe 2 të rendit të ditës në mënyrë koncize, analitike dhe konstruktive këshilltarët Adell Damjanoviq, Dardan Qosaj, Ali Kukaj, Naser Radonçiq, Ferka Jaroviq dhe Seniha Kollenoviq qëndrimet dhe mendimet e veta të këtyre çështjeve vërtetë të rëndësishme.
Këshilltarët e pranishëm në seancë, qëndrimet dhe orientimet e veta i shprehën me aklamacion të hapur duke votuar të gjithë njëzëri kundër shitjes së pjesëve të patundshme të parcelave kadastrale në fjalë.
Përkitazi me këtë problem në seancë u tha se Komuna e Plavës vëllezërve Ulaj duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të tyre ekonomiko-sociale, ua ka falë pjesët e patundshme të parcelave kadastrale për të cilat është fjala, por për këtë nuk kanë lëshuar dëshmi (dokument) me shkrim. Edhe në këtë seancë u dëgjuan dhe u shfaqen propozime për mundësinë e nënshkrimit të kontratave mbi falje të patundshmërive në mes të Komunës së Gucisë dhe vëllezërve Ulaj.
Lidhur me këtë çështje do të zhvillohen aktivitete administrative dhe teknike për zgjidhjen sa më të drejtë dhe më fatlume të të dy palëve.
Në piken e tretë të rendit të ditës – Pyetje dhe përgjigje të këshilltarëve, këshilltarët Llakiq Baboviq, Ali Kukaj, Dr. Harisa Llalliçiq dhe Seniha Kollenoviq, organeve kompetente të Komunës dhe Kuvendit të saj, i parashtruan një vistër pyetjesh që kanë të bëjnë me zgjidhjen e një sërë çështjes dhe problemesh infrastrukturore, administrative, juridike dhe teknike, përgjigjet në të cilat i kërkuan me shkrim.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat