Me 46 vota për dhe asnjë kundër apo abstenim, Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar sërish të hënën (13 tetor 2025) ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi tatimin në pasurinë e paluajtshme.
Në këtë mënyrë, Kuvendi nuk i ka marrë parasysh thirrjet e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili para disa ditësh kishte kërkuar prej tyre që të mos e votojnë këtë ligj, pasi që sipas tij, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe i diskriminon prodhuesit vendor.
“Nëse votoni për, ligji u jep komunave lirinë për të vendosur nëse dhe me çfarë përqindjeje do ta ulin normën e tatimit të pasurisë së paluajtshme për prodhuesit bujqësorë. Pasoja do të ishte që fermerët nga një komunë mund të arrinin një ulje prej 90 për qind, ndërsa nga një komunë tjetër mund të kishin një ulje prej vetëm 20 për qind ose aspak”, ka theksuar Millatoviq në një letër drejtuar deputetëve.
Kjo zgjidhje, sipas tij, i vendos në një pozitë të pabarabartë tatimpaguesit në territorin e shtetit, gjë që është në kundërshtim me parimet e barazisë dhe ndalimit të diskriminimit, të përcaktuara nga Kushtetuta e Malit të Zi.
Kuvendi i Malit të Zi ka votuar më 30 korrik 2025 për këtë ligj, por Presidenti Millatoviq nuk e kishte dekretuar duke ia rikthyer atij në rishqyrtim.
Mosdekretimi nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i Ligjit mbi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, i miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi, ishte bërë shkak i përplasjes së tij me zëvendëskryeministrin për politikë ekonomike, njëherazi ministër i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, i cili vjen nga radhët e Forumit Shqiptar.
Kjo përplasje ka degraduar në akuza personale, aq sa nga kabineti i Presidentit Jakov Millatoviq kanë deklaruar se zëvendëskryeministri Gjeloshaj e ka kërcënuar atë (Millatoviqin) dhe kanë kërkuar nga kryeministri Millojko Spajiq shkarkimin e Gjeloshajt. Ky incident përfundoi edhe në organet e hetuesisë, por organet ligjzbatuese kanë konstatuar se nuk ka elemente për ngritjen e aktpadisë.
Me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Malit të Zi parashikohet që qeverisjet vendore të kenë kompetenca më të mëdha në përcaktimin e vlerës së tatimit mbi pasuritë e paluajtshme.
(Kohapress)
