Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) ka nominuar për ambasador në Malin e Zi diplomatin shqiptaro-amerikan Bix Aliu (Begzat Azem Aliu).
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Aliu është anëtar karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm, klasa ministër-këshilltar.
“Aliu së fundmi ka shërbyer si i ngarkuar me punë, ad përkohshëm i Ambasadës së SHBA-së në Budapest, Hungari. Para kësaj, ai ishte zëvendësshef i Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Poloni dhe ishte i ngarkuar me Punë, ad përkohshëm gjatë gjithë vitit 2021. Më parë, Aliu ishte konsull i përgjithshëm i Konsullatës së Përgjithshme të ShBA-së në Krakov dhe u dekorua me medaljen ‘Honoris Gratia’, nderimi më i lartë i qytetit, për avancimin e tij të rëndësishëm të lidhjeve ekonomike dhe kulturore midis Shteteve të Bashkuara dhe Krakovit”, thuhet në përshkrimin e Shtëpisë së Bardhë për Aliun.
Detyrat e tjera të Aliut përfshijnë shërbimin si zëvendësshef i Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë, zyrtar i diplomacisë publike në Tiranë etj.
Shtëpia e Bardhë njofton se Aliu ka një diplomë mjekësie nga Universiteti i Prishtinës dhe një diplomë master i studimeve strategjike nga Kolegji i Luftës së Ushtrisë Amerikane në Carlisle, Pensilvani. Ai është fitues i çmimeve të shumta për performancë nga Departamenti i Shtetit. Krahas gjuhës shqipe dhe angleze, flet gjuhën malazeze, serbo-kroate, maqedone dhe polake.
Aliu është një njohës i mirë i situatës në Mal të Zi dhe në rajon duke qenë se ka shërbyer edhe më parë në misionin diplomatik të SHBA-së në këtë shtet.
Bix Aliu do të zëvendësojë në këtë detyrë ambasadoren aktuale të ShBA-së në Podgoricë, Judy Reinzing Reinke, së cilës i përfundon mandati.
(Kohapress)
